Besimtarët katolikë kremtojnë këtë të dielë Pashkët. Në kryeqytet, kur ora kishte shënuar 12:00 pas mesnate, ata u mblodhën në Katedralen e “Shën Palit”, ku ndoqën meshën e shenjtë, drejtuar nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, imzot Xhorxh Frendo

Veç urimit, Frendo e përqendroi fjalën e tij tek situata që kalon vendi. Ai foli për fenomenet negative që dominojnë sot shoqërinë, e në veçanti për njerëzit e pasuruar nga korrupsioni dhe paratë e pista.

Teksa një ditë më parë kërkoi nga politika të gjejë një zgjidhje për të mos shkuar në vetëvrasjen e kombit, në meshën tradicionale, imzot Frendo tha se ngjarjet që janë përcjellë në media kohët e fundit e kanë futur në krizë shpresën për të ardhmen.

Pashkët u festuan edhe në qytete të tjera. Atmosfera në Lezhë ishte më festive, teksa treni i Pashkëve u mbush me fëmijë, vezë e ushqime dhe udhëtoi përgjatë gjithë qytetit. Për qytetarët, këto festa janë kthyer në një mundësi për të promovuar bashkëjetesën fetare.

Sipas besimit të Krishterë, biri i zotit u kryqëzua për të larë mëkatet e njerëzimit, por ditën e tretë pas vdekjes u ringjall. Për këtë arsye festa simbolizon dhe ringjalljen e shpresës.

Tv Klan