Një ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e një magazine në zonën e Sharrës, që mblidhte kavanozë nga kazani i plehrave dhe ua shiste fabrikave të salcave dhe produkteve ushqimore.

Në këtë objekt shkuan sot përfaqësues nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Hetimi Tatimor. Por Instituti i Shëndetit Publik nuk e pa të arsyeshme ta vinte ujin në zjarr për sigurinë ushqimore.

Qytetari – Si jeni me vazot… kavanozat? Çfarë grumbulloni?

Pronari – 

Grumbulloj të gjitha llojet… edhe shesim përditë.

Qytetari – I marr të lara? Si i marr?

Pronari – 

Jo!

Qytetari – Nuk i  marr të lara ë? Unë për atë isha më shumë, më leverdis me i marrë të lara apo jo.

Pronari – 

Jo, jo! Janë të tjera ato.

Qytetari – Janë të tjera ë…?!

Pronari – 

Ato i lajmë vetë ne…

Qytetari – T’i shohim? Po të salcës?

Pronari – 

Të salcës janë të lara. 

Janë të kazanëve… Në Tiranë i marrim, i marrim në Durrës.

Qytetari – Më jep nja 4 copë, 5 (thasë)… O Nezir, këta i kemi direkt për kështu… Marrim kapakët edhe…

Pronari – 

Janë të lara, janë gati për prodhim.

Qytetari – Sa është?

Pronari – 

500 lekë. (të vjetra)

Qytetari – Sa copë ka ky (thesi)?

Pronari – 

15.

Qytetari – Me çfarë temperature i lani?

Pronari – 

Me sodë, me sodë kaustike.

Qytetari – Me sodë kaustike? Temperatura e ujit apo…?

Pronari – 

Uji kështu… i ngrohtë…

Qytetari – I ngrohtë?

Pronari – 

Po!

Pronari – 

(numëron kapakët) 6,8…

Qytetari – Po kështu, a shet ?

Pronari – 

Po, përditë shesim!

 

3 thasë more nga ato, 150 copë.

Qytetari – Sa i bie?

Pronari –  

44 mijë lekë. ( të vjetra)

Pas transmetimit të këtij skandali në emisionin “Stop”, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Hetimi Tatimor iu drejtuan kësaj magazine.

“Është i regjistruar në QKB, është i siguruar. Janë marrë faturat e mallit, do verifikohen dhe do të kalojë për ndjekje të mëtejshme”,

tha përfaqësuesi i Hetimit Tatimor.

AKU shprehet se nuk është kompetencë e saj kjo situatë, pasi ky institucion merret vetëm me produktin ushqimor, ndërsa Hetimi Tatimor thotë subjekti në fjalë është i pajisur me të gjithë dokumentacionin.  

Pra, organi i vetëm që duhet të bëjë verifikimin e skandalit është Instituti i Shëndetit Publik, i cili nuk është bërë “i gjallë”. Ndaj dhe gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua këtij institucioni për të pyetur nëse do të veprojnë apo do ta lejnë pikën e grumbullimi në këtë gjendje.

Gazetarja – Mesa duket ju e keni bërë një vesh shurdh dhe një sy qorr. Do reagoni, s’do reagoni? Çfarë keni ndërmend të bëni?

Dritan Ulqinaku –

Çfarë kërkoni nga unë? S’po e marr vesh.

Gazetarja – Duhet të ngreni një grup për të inspektuar.

Dritan Ulqinaku – Nuk e kam parë emisionin.

Gazetarja – Kur keni ndërmend ta shikoni dhe kur keni ndërmend të reagoni?

Dritan Ulqinaku –

 

Direkt.

Gazetarja – Kur direkt?

Dritan Ulqinaku – Sa ta di, ta shoh. Ça të të them unë?

Gazetarja – Ja, ta tregoj unë.

Dritan Ulqinaku – Zonjë, të lutem bëj një kërkesë dhe unë direkt do të ngrej grupin tim. Nëqoftëse është për shëndetin publik, absolutisht që do të reagojmë direkt!

Gazetarja e emisionit “Stop” u shpreh:

“Institucionet në këtë rast nuk pyesin fare për shëndetin e qytetarëve!”/tvklan.al