Në krahasim me gjyqtarët kushtetues të vendeve perëndimore, në Shqipëri këta gjyqtarë janë rreth 25 vjet më të rinj.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu pyeti të ftuarit nëse përbën problem mosha e vogël e gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Gazetari Andi Bejtja thotë se nuk është paragjykues ndaj moshës, por u shpreh se në Vetting duhet të kishin kaluar fillimisht gjyqtarët e gjykatave të tjera dhe Gjykata Kushtetuese të lihej për në fund në mënyrë që të shmangej ngërçi kushtetues që është aktualisht.

E pyetur për të njëjtën gjë, gazetarja Mira Kazhani krahasoi rastin e trajnerit të futbollit Jose Mourinho me gjyqtarët e rinj të Kushtetueses. Sipas saj, edhe Mourinho ishte asistent por sot është një nga trajnerët më të mirë në botë. Duke hequr vija paralele me moshën e re të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Mira Kazhani theksoi se këta gjykatës do të japin prova.

Por në këtë pikë, gazetarja u kap ngushtë nga argumenti i Blendi Fevziut, i cili i kujtoi rastin e javës së kaluar, kur 4 gjyqtarët e Kushtetueses u ndanë 2 me 2 për kolegen e tyre Marsida Xhaferllari, nëse i takon asaj mandati apo Arta Vorpsit.

Blendi Fevziu: Mosha më e re shqiptare, 20-25 vjeç nën mesataren e vendeve të tjera të zhvilluara, është pozitive apo problematike?

Andi Bejtja: Prandaj ka pasur zëra në fillim të kësaj reforme, dhe nga Komisioni i Venecias në vitin 2015, është thënë që ky lloj Vettingu do sjelli problem. Gjykata Kushtetutese ka funksionuar më mirë se gjykatat e tjera. Kjo që kemi pasur. Ekspertët thonë që është bërë gabim që reforma është bërë nga sipër poshtë, duhet të ishte bërë nga poshtë sipër. Dhe po të ishte Gjykata Kushtetuese në fuqi sot dhe të ishin bërë gjërat e tjera, ne nuk do kishim pasur këto probleme që kemi.

Blendi Fevziu: Mosha e re është pozitive apo është negative?

Andi Bejtja: Nuk dua të paragjykoj njeri, por këta kanë qenë shumica kanë qenë asistentë të këtyre, ca s’kanë kaluar as fakultetin. Nuk e paragjykoj moshën.

Blendi Fevziu: Mira, mosha është avantazh apo disavantazh?

Mira Kazhani: Asistent ka qenë dhe Mourinho por u bë fantastik si trajner.

Blendi Fevziu: Por dha prova!

Mira Kazhani: Edhe këta mund të japin prova se nuk e kemi provuar.

Blendi Fevziu: Jo, prova e parë që dhanë ishte katastrofë. U ndanë dy me dy politikisht. Në rastin e parë që diskutuan një çështje treguan që ishin dizastër.

Mira Kazhani: Treguan që ishin të rinj.

Blendi Fevziu: U ndanë dy me dy politikisht që tregon që do vazhdojnë traditën politike të votimit, që është e tmerrshme.

Mira Kazhani: Në momentin që ata do të jenë të zgjedhur dhe do jenë me funksion të plotë në Gjykatën Kushtetuese, nuk do të jenë në tollovinë e medias dhe të politikës, sigurisht do të rriten. Mosha e re nuk është dhe avantazh shumë i madh, por në Shqipëri besoj nuk është një zgjedhje e keqe, është një zgjedhje e mirë. Do t’u japim kohë që të plaken. /tvklan.al