Mbrëmjen e 25 Prillit, në Sallën e Koncerteve të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, u mbajt një ceremoni artistike e veçantë, dedikuar përfshirjes së “K’cimit të Tropojës” në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s, ngjarje e cila u regjistrua në Dhjetor të vitit 2024, në Asuncion të Paraguait.
“K’cimi i Tropojës” u ngjit në skenën e TKOBAP-it, duke sjellë për publikun një rapsodi të gjallë lëvizjesh: rrjedhën e furishme të lumit, lindjen e hënës mbi bjeshkë, shpërthimin e furtunës dhe qëndrueshmërinë e shkëmbinjve. Performanca ishte një përjetim artistik i thellë i shpirtit të Tropojës, mishëruar përmes lëvizjeve plot energji dhe emocion të artistave të të gjitha moshave.






Nëpërmjet kësaj shfaqjeje, u soll para publikut jo vetëm një moment festimi, por edhe një mesazh të fuqishëm mbi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore për brezat që vijnë. Mbrëmja u mbyll me duartrokitje të zjarrta dhe emocion të thellë, ndërsa “K’cimi i Tropojës” shkëlqeu si një ambasador i shpirtit shqiptar në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
K’cimi i Tropojës, ose K’cim veni është një vallëzim karakteristik i banorëve të zonës së Tropojës, i cili interpretohet në një shumëllojshmëri vallëzimesh, si vallet e dasmës, vallja e grave, vallja e burrave, vallja e nuseve të reja, vallëzimi i vajzave, vallja e shqiponjës e të tjera. Në disa variante ai shoqërohet edhe me tekst. Fushat e trashëgimisë ku klasifikohet ky element përfshijnë traditat dhe shprehjet, artet performuese, praktikat shoqërore, ritualet dhe ngjarjet festive dhe njohuritë dhe praktikat në lidhje me natyrën dhe universin.
Iniciativa u udhëhoq nga shoqata “K’cimi i Tropojës”, me në krye Mjeshtrin e Madh z. Skënder Haklaj, dhe u mbështet financiarisht nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Tashmë “K’cimi i Tropojës” nga pjesë e gjallë e jetës kulturore të banorëve të Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës, me krenari, shtrihet edhe më tej në diasporën shqiptare.
/tvklan.al