Publikimi i fotografisë së Renit të Elbasanit nga emisioni “Uniko”, që shfaqet në një lokal bastesh në Shijak më 26 Gusht të vitit 2013 kur u vra Elvin Kërtalli, duket se ka ndryshuar pistat e hetimit.

Në atë kohë, kjo fotografi e Renato Hamzës u shpërnda në të gjitha drejtoritë e policisë së qarqeve në vend, ku kërkohej identifikimi i këtij personi.

Duke parë këtë foto të siguruar nga emisioni ‘Uniko’, Silvana Hamza e identifikoi personazhin si djalin e saj.

Renato Hamza u dyshua si personi që mund të kishte informuar vrasësit për lëvizjet e Elvin Kërtallit. Ky fakt, edhe pse në kuadrin e dyshimeve, tronditi vetë nënën e Renit.

Zonja Silvana nuk e pranon faktin që djali i saj mund të ketë qenë informator i dyshuar në këtë vrasje. Për emisionin “Uniko”, ajo thotë se policia duhet ta publikonte në media fotografinë e djalit të saj për të kërkuar ndihmën e publikut, nëse nuk arrinte dot ta identifikonte.

“Në momentin që unë pashë foton e djalit që u publikua në emision, për një moment mbeta e shokuar sepse thashë djali mund të ketë vënë ndonjë loto dhe mund të ketë mbetur bosh tek ky lokali dhe ndoshta ka pasur kontradikta me këtë të lokalit. Prandaj mbeta si e habitur. Por kur më thanë që djali është informator i kësaj ngjarje, i dyshuari i kësaj ngjarje, unë këtë nuk e besoj kurrë asnjëherë. Sepse djali im nuk ishte person në botën e krimit. Sepse fotoja e djalit tim nuk është publikuar asnjëherë në televizion. Duhet të publikohej sepse Renato ishte një person publik. Duhet të publikohej nga Policia e Shtetit si të gjithë autorët, kur janë të dyshuar të dalin në televizion. Kur Renaton mund ta njihnin të gjithë. Edhe unë vetë mund ta dorëzoja në polici djalin tim, sepse nuk do më vinte mirë dhe e dija që djali im nuk merrej me këto gjëra. Mund ta çoja atje, ta verifikonte policia është ky personi i dyshuar apo jo. Ku e di unë që është djali im informator i kësaj ngjarje? Kush i tha këtyre personave që djali im është informatori? Përse duhet ta bënte? Policia e Shtetit duhet të merrte masa për çdo gjë. Djali im kaloi në Greqi. Përse nuk e kapi në qoftë se ky ishte i dyshuar”?

Madje, zonja Silvana thotë se djali i saj ka kënduar edhe në festat e policisë, duke pretenduar që Renato Hamza ishte një person i njohur në publik.

“Policia e njeh shumë mirë Renaton, e njohin shumë mirë. Renato ishte këngëtar, e njohin të gjithë. Edhe në polici ka shkuar Renato, ka bërë muzik në polici kur kanë pasur festa. E njohin shumë mirë Renaton. Kur ka pasur një festë policia, ka qenë Renato aty si këngëtar. Ka qenë njëherë”.

Tre javë më parë, emisioni “Uniko” transmetoi ekskluzivisht momentet e Renit që shfaqet në qendër të Elbasanit para se të zhdukej. Për këtë video, Silvana Hamza thotë se është interesuar në polici për të mësuar më shumë për hetimin, por aty i kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni të këtyre pamjeve.

“Dhe një ditë më thotë shefi që unë atë videon nuk e kam parë kurrë. Shefi i krimeve që pati dosjen e djalit tim, Petrit Bushati, më thotë një ditë që unë nuk e dija këtë video. Kur ai e di shumë mirë, se ai i bëri gjithë këto gjëra, bashkë me prokurorin. Takoi vëllain tim në rrugë, unë s’e dija këtë video tha që ka dalë aty në televizion. Para një jave ka qenë. Edhe i tha vëllait tim që unë nuk e di atë video, nuk e kam parë. Shumë bukur video e djalit tim mund të dilte në televizion siç dalin të gjithë videot e personave të dyshuar, ose videot e kriminelëve që marrin pengje. Përse kjo e djalit tim nuk u publikua asnjëherë? Apo pse thjesht është një njeri i varfër”?

Zhdukja e këngëtarit të tallavasë Renato Hamza është ende pa autor dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij edhe pas 6 vitesh. Vuajtjet e zonjës Silvana nuk kanë fund. Brenga e një nëne është e madhe, dhe kërkon me ngulm të dijë ku ndodhet djali i saj, për të cilin thotë se e ka rritur me sakrifica. Në sytë e saj të përlotur lexohet qartë vuajtja, lodhja, zhgënjimi dhe padija se ku ndodhet biri i saj. Me dhimbjen që vetëm zemra e një nëne përjeton, ajo kërkon të dijë rreth fatit të Renit, për të cilin i djeg shpirti si ditën e parë kur nuk mori vesh më asgjë prej tij.

“Ku e gjen krimineli këtë të drejtë të më marri djalin jetim që unë mezi e kam rritur? Që sapo ngriti kryet të bëhej dikush në jetë, e të ma marri një kriminel e të ma bëjë si i do qejfi atij, të ma masakrojë djalin. Unë i bëj thirrje shtetit, ministrit të Brendshëm që ta rishikojë dhe njëherë këtë dosjen e djalit tim. Të vijë njëherë këtu në Policinë e Elbasanit se çfarë korrupsioni, se çfarë kriminelësh ka këtu. Nuk mund të vritet një djalë jetim që mezi e kam rritur. Kam mbyllur jetën për atë fëmijë. E di të vijë tjetri e të ma marrë peng. Si mo ta rris fëmijën unë e të ma marri të ma vrasi një kriminel? Ku e gjen këtë të drejtë”?

Në videon ekskluzive të publikuar nga ‘Uniko’, Reni takohet me dy persona të identifikuar si Indrit Shaqja dhe Deniz Xhija. Këta dy të fundit kanë qenë të dyshuar nga policia si persona që kanë lidhje me zhdukjen e këngëtarit të tallavasë.

Indrit Shaqja është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kunatave Elsa dhe Gjinovefa Vava në Durrës, ngjarje e ndodhur rreth 3 muaj pas zhdukjes së Renit. Por, për hetimet e zhdukjes së Renit, Indrit Shaqja ka kyçur gojën.

“Për Indrit Shaqjen i them që atë ditë kur ka marrë djalin tim, e ka gënjyer sepse u pagua nga ata kriminelë. Po nuk është djali im ai o qen, o kriminel. Nuk është djali im informatori i kësaj ngjarje, ndoshta je ti ai se je vrasës me pagesë. Nuk është djali im ai. Ai tashmë është i dënuar, jo për djalin tim, se për djalin tim nuk u kap asnjëherë ai. Por i them që të tregojë vetëm ku ma ka futur djalin. Sepse kur e merrnim ne në telefon, na thoshte që unë për Renaton vras 3 persona dhe ku është Renato? Poshtë shinave të trenit? Në Rrushmbull, më tha mua? Domethënë që ai e ka vrarë djalin. Ai është vrasës me pagesë”.

Ndërsa personi i dytë që shfaqet në video, Deniz Xhija, është në kërkim për një ngjarje tjetër kriminale. Për këtë person, Silvana Hamza ia faturon përgjegjësinë policisë.

“Përse policia nuk e kap dhe këtë tjetrin, këtë Deniz Xhijën? Ky vete vret e pret edhe policia e le të qetë? Ky shumë bukur mori djalin tim edhe kaloi prapë. Çfarë bën kjo Policia e Shtetit? Përse një nënë të qajë? Jo unë, por ka shumë nëna që po qajnë për fëmijët e tyre sepse nuk kemi shtet. Sepse shteti është i lidhur me krimin kokë e këmbë”.

Zonja Silvana pretendon se personat që kanë planifikuar rrëmbimin e djalit të saj, janë parë nga një dëshmitar ditën e ngjarjes më 29 Qershor 2014 pranë stadiumit të Elbasanit.

Në prononcimin për “Uniko”, Silvana Hamza përmend emrin e ish të dashurës së djalit të saj, një grua të cilën e akuzuar vazhdimisht. Ajo thotë se ky dëshmitar ka parë ish të dashurën e Renit së bashku me disa persona të tjerë dhe që po flisnin pikërisht për këngëtarin e tallavasë.

Atë ditë kur kanë rrëmbyer djalin, ka qenë me autorët atje dhe…Ta hapi policia. Ka qenë në Arena Sport atje. Ka qenë bashkë me grup tjetër. Indriti ka qenë me grupin tjetër. Kanë qenë dy makina që kanë marrë djalin atë natë. Edhe t’i hapi policia të gjithë kamerat sepse kamerat janë deri në Urën e Bradasheshit, kamerat që janë ndjekur dy makinat. E dimë shumë mirë. Redona ka biseduar atë ditë bashkë me këta persona kur djalin tim e kanë rrëmbyer. Sepse na kanë thënë persona që e kanë parë atë ditë. Kanë parë Redonën me grupin. Edhe Redona ka qenë gjithë ditën tek lagjia ka kërkuar Renaton, tek Arena Sport kanë qenë atë ditë. Redona po merrej vesh me këta persona edhe i thoshte që ‘ku je o Reni, hajde këtu hajde atje’. Ditën e ngjarjes ka qenë Redona në Elbasan. Na ka thënë personi, se nuk dua ta bëj publik, që unë ta dija që ajo po fliste për rrëmbimin e Renatos, unë do t’i dilja Renatos përpara do t’i thoja që mos Renato se po të punojnë kurth. Një makinë me targa Kosove kjo. Redona atë ditë ka qenë tek stadiumi. Mua me sa më kanë thënë, kanë qenë dy makina atë ditë. Redona ka qenë gati me 4 persona, dhe 5 persona kanë marrë djalin tim atë ditë në makinë. Se e ka parë dhe djali i hallës time, Renaton brenda në makinë tek rrethrrotullimi, ja ka bërë me dorë djalit tim. Ai ndoshta ka kërkuar ndihmë. Tek 1 Maji, rrethrrotullimi atje”.  /klanplus