Politika shqiptare “zien” këtë të hënë. Kjo pasi mesnata e 8 Marsit është afati i fundit për partitë politike që të dërgojnë në KQZ listat e tyre të kandidatëve për deputetë.

Partitë kryesore nuk i kanë mbyllur ende listat dhe kanë vendosur që t’i dorëzojnë ato në limitet kohore, duke vazhduar në këtë mënyrë një traditë që është përdorur në të gjitha zgjedhjet e mëparshme.

Diskutimet në Partinë janë përqendruar për qarqet Durrës, Vlorë dhe Fier lidhur me kandidatët që do të jenë dhe për renditjen e tyre. Deri më tani dihet që kryeministri Edi Rama do të kandidojë në dy qarqe, atë të Vlorës dhe Durrësit. Vetë kreu i qeverisë ka paralajmëruar se do të garojë aty ku është objektivi bazë. Po ashtu ai bëri të ditura emrat që do të kryesojnë listat e PS-së në qarqe që janë emra të rinj, por edhe më së shumti, femra.

Ndërkohë Partia Demokratike do të mbledhë selinë Këshillin Kombëtar për të vendosur për listën përfundimtare. Basha do të kandidojë në Tiranë, ndërsa u ka dhënë vende të sigurta edhe disa prej aleatëve të tij. Në kryeqytet do të kandidojë edhe lideri historik i PD-së, Sali Berisha.

Emra që i janë larguar politikës aktive, refuzime për kandidim, listat e partive të vogla dhe emrat surprizë nga kampet e mëdha politike, këtu gjeni se çfarë ka ndodhur deri në këto momente.

Nisma Thurje dërgon listën në KQZ, emrat që janë vendosur në garë

Listat me kandidatë në zgjedhjet e 25 Prillit i ka dërguar edhe Nisma Thurje. Në dokumentet e firmosura nga kryetari i saj, Endrit Shabani, mësohet se në Tiranë nuk do të jetë vetë ai që do të kryesojë listën.

I pari për Nismën në kryeqytet do të jetë Pano Soko, ndërsa Shabani i dyti. Shabani do të konkurrojë edhe në dy qarqe të tjera, Durrës dhe Shkodër. Në Durrës ai do të jetë i pari në listë.

Ndërkohë, Rudina Hajdari do të jetë e para në listën e kandidatëve në Elbasan.

Zbulohet slogani i PS-së për zgjedhje

“Shqipëria e ardhmja jonë” është slogani që Partia Socialiste do të përdorë gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit.

Slogani u bë publik gjatë konferencës së kryeministrit Rama për shpalosjen e objektivave, ndërkohë që shoqërohet me hashtagun “S’ka kohë për pushim”.

Rama shpalosi këtë të hënë objektivat e Partisë Socialiste ndërkohë që bëri të ditur edhe emrat që do të kryesojnë listat në qarqe.

Ditmir Bushati jashtë listave? Rama: Ylli është skuadra, jo individët

Duket se as Ditmir Bushati nuk do të jetë pjesë e ekipit të PS-së për zgjedhjet e 25 Prillit. Edhe pse nuk është bërë ende publike, Kryeministri Edi Rama tha këtë të hënë para gazetarëve se më e rëndësishme se sa individët për të është skuadra që ka Partia Socialiste.

Kreu i qeverisë deklaroi se për secilin në PS ka një kohë që merr, por edhe një kohë që jep.

Do ndalesha në Qarkun e Shkodrës, ju thatë që e keni bërë vlerësimin edhe në bazë të kritikave të mediave dhe rrjeteve sociale. Me shumë gjasë besoj do konfirmohet që Ditmir Bushati nuk do të jetë pjesë e listës, A ishte një kriter?

Edi Rama: Në këtë betejë ylli është skuadra dhe unë flas vetëm për skuadrën, nuk flas për individë.

Duke qenë se ju vetë e keni konsideruar si një ministër yll si ministër i Jashtëm?

Edi Rama: Patjetër, por skuadra e PS-së është shumë më tepër se sa skuadra e deputetëve kështu që besoj se të gjithë kanë shumë për të dhënë dhe ata që kanë marrë më shumë kanë për të dhënë më shumë me siguri. Pjesa më e madhe kështu do të bëjë, sepse ka një kohë për të marrë, ka një kohë për të dhënë.

Dritan Leli refuzoi të linte bashkinë për deputet, reagon Rama: Me të ose pa të PS do të realizojë objektivin

Dritan Leli refuzoi këtë të hënë që të ishte pjesë e listës së Partisë Socialiste për Qarkun Vlorë duke qëndruar në krye të bashkisë.

Gjatë prezantimit të objektivave të PS-së për zgjedhjet e 25 Prillit, kryeministri Edi Rama u pyet pikërisht për këtë çështje.

Kreu i qeverisë u shpreh se me Lelin ose pa të, selia rozë ka për ta realizuar objektivin në Vlorë.

“Në formimin e një skuadre ka dinamika të brendshme dhe nuk ka rëndësi çfarë ka menduar njëri, çfarë ka menduar tjetri. Është e vërtetë që i kam propozuar të bëhet pjesë e skuadrës, nuk e ka parë të arsyeshme është zgjedhje atij. Me të pa të, PS do të realizojë objektivin bazë dhe do të shkojë pranë objektivit maksimal. S’ka asnjë problem”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se në këto zgjedhje PS-ja është më shumë e përgatitur.

Emrat | Kush do të jenë të parët në listat e PS?

Kryeministri Edi Rama prezantoi me radhë emrat që do të kryesojnë listat e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit. Rama tha se emrat që kryesojnë këto lista janë vendosur pa asnjë debat. Pjesa më e madhe e tyre janë gra dhe vajza.

Edona Bilabi-Shkodër

Pranvera Resulaj-Vlorë

Greta Duraku-Kukës

Eni Zake-Korçë

Lavdrim Krashi-Dibër

Hatixhe Konomi-Berat

Najada Çomo-Luljeta Bozo-Tiranë

Erion Braçe-Fier

Evis Kushi-Elbasan

Mirela Kumbaro-Gjirokastër

Lindita Nikolla-Lezhë

Milva Ekonomi-Durrës

Rama flet për objektivat: 78 deri në 88 mandate për zgjedhjet e 25 Prillit

Kryeministri Edi Rama prezantoi mbrëmjen e kësaj të hëne objektivat e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 Prillit. Ai tha se objektivi minimal i selisë rozë është që rezultati që të arrijë numrin e deputetëve në parlament në vitin 2017.

Ai renditi objektivat bazë dhe maksimal për secilin qark dhe në fund tha se objektiv bazë për PS-në është që pas 25 Prillit të arrijë 78 mandate dhe objektivi maksimal që të arrijë në 88 mandate.

“Objektiv bazë tani do t’i nxjerr qark për qark për të pasur qartë dhe vendosjen e pozicioneve. Në Shkodër është objektivi bazë është 4, objektivi maksimal është 5 Në Kukës objektivi bazë dhe maksimal është 2. Në Lezhë objektivi bazë është 3, maksimali është 4. Në Dibër objektivi bazë dhe maksimal është 3. Në Durrës objektivi bazë është 8, objektivi maksimal është 9. Në Tiranë objektivi bazë është 19, objektivi maksimal është 20. Në Elbasan objektivi bazë është 8, objektivi maksimal është 9. Në Fier objektivi bazë është 10, objektivi maksimal është 11. Në Berat objektivi bazë është 5, objektivi maksimal është 6. Në Korçë objektivi bazë është 6, objektivi maksimal është 7. Në Vlorë objektivi bazë është 8, objektivi maksimal është 9. Nëse shohim përmbledhjen duke pasur parasysh objektivin minimal që është rezultati i zgjedhjeve të shkuara ne kemi objektiv bazë që të arrijmë 78 mandate dhe objektivi maksimal 88 mandate. Nuk janë si ato numrat e filxhanëve por të bazuara në analiza dhe potenciale dhe të gjitha këto do të lidhen projeksione që mbështeten në strategji, taktika dhe një sërë komponentësh të tjerë”, tha Rama.

“Do të rreshtohem aty ku është objektivi bazë”

Kryeministri Edi Rama zhvilloi nga selia e Partisë Socialiste një konferencë për të prezantuar objektivat që ka partia e tij për zgjedhjet e 25 Prillit. Kreu i qeverisë tha se në listat për deputetë do të përmbyset rreshtimi tradicional i listave dhe në vendet e para do të qëndrojnë të rinjtë dhe gratë.

“Propozimi që këtë herë koncepti tradicional i rreshtimit të listave duhet të përmbyset. Është e pakuptimtë që udhëheqja të rrijë në krye që në fakt nuk është të rrish në krye të betejës. Vendet e para të listave ne i kemi trajtuar dhe kështu e kemi mësuar publikun si ballina dhe kështu është në të vërtetë. Vendet e para të listës  janë të rëndësishme edhe për të prezantuar një pozicion në raport me publikun dhe pikërisht me këtë të fundit, por edhe se nuk janë vija e parë e luftës për objektivin, vendet e para në çdo listë u duhen lënë të rinjve përgjithësisht, grave dhe vajzave që nuk janë enturazh në PS, por janë aktorë të rëndësishëm të të gjithë procesit tonë dhe nga ana tjetër, fuqizimi i mëtejshëm i grave dhe vajzave është një konstante e vizionit tim për këtë vend dhe vizionit të PS-së për përfaqësimin në këtë vend. Unë mendoj që është e rëndësishme të ndalem këtu për të sqaruar këtë mesazh, se unë nuk e kuptoj, ça kuptimi ka që unë të jem në vendin e parë të listës në Durrës dhe në Vlorë. Jo, unë do vendosem aty ku është objektivi bazë dhe bashkë me skuadrën do luftojmë për të realizuar objektivin bazë dhe për të realizuar objektivin maksimal. Pikërisht se jam udhëheqësi i partisë kam detyrën t’i bëj të dyja se përndryshe nuk do e meritoja të rrija në këtë vend. Nuk mund t’i them udhëheqësve të qarqeve ju shkoni luftoni në kufirin poshtë dhe unë në kufirin lart”, tha Rama.

Dritan Leli refuzon ftesën për kandidim në zgjedhjet e 25 Prillit

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, ka refuzuar që të kandidojë në listat e Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Burime për Klan News bëjnë të ditur se arsyeja e këtij mospranimi është për shkak se atij nuk i është ofruar një vend i sigurt në listën e qytetit bregdetar.

Më herët, televizioni Klan News raportoi se kryebashkiaku Leli kishte dhënë dorëheqjen nga funksionet zyrtare për shkak se do futej në listë. Po ashtu, sipas burimeve thuhej se dorëheqjen ka dhënë edhe kryebashkiaku i Dibrës, Dionis Imeraj.

Mesnata e ditës së sotme është afati i fundit që partitë politike të dorëzojnë në KQZ listat me kandidatët për deputetë.

Zbardhen emrat surprizë që PD-ja do të përfshijë në listat zgjedhore

Kur na ndajnë edhe disa orë nga përfundimi i afatit për dorëzimin e listave për kandidatë për deputetë në KQZ, dy partitë më të mëdha në vend, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike nuk kanë dorëzuar ende asgjë.

Mirëpo Klan News ka zbardhur disa emra që do të garojnë në zgjedhjet e 25 Prillit për selinë blu. Surprizë mbetet emri i Flutura Açkës. Sipas burimeve për Klan News, shkrimtarja do të garojë në Elbasan.

Ndërkohë demokratët kanë ruajtur një vend edhe për analistin Agron Gjekmarkaj. Ai do të garojë në Lezhë. Ndërkohë, Ina Zhupa do të jetë në listën e Vlorës.

Tjetër largim në radhët e PS-së, Eglantina Gjermeni u hap rrugën të rinjve

Pas Vasilika Hysit, një tjetër deputete është larguar nga politika dhe nuk do të jetë pjesë e listave zgjedhore më 25 Prill. Eglantina Gjermeni ka ndjekur nga pas deputetët socialistë që kanë vendosur që t’i lenë vend të rinjve në politikë.

Kreu i qeverisë Edi Rama tha se Gjermeni dhe Hysi kanë kërkuar që të “rrinë rehat”. Kryeministri u shpreh se këto dy deputete do t’i lenë hapësirë emrave të rinj si Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Najada Çomo dhe Luljeta Bozo.

“Për arsye të tyre të mirëkuptueshme kërkuan të rrinë rehat. Unë shpresoj që të mos rrinë rehat, por kështu ishte kërkesa. Jo nuk kërkuan të rrinë rehat në fakt. Eglantina nuk e di sa kohë është më parë, 6 muaj, 8 muaj, 10 muaj nuk e di sa kohë ka erdh më takoi dhe tha unë, dua mirëkuptimin tuaj që të ndërroj edhe njëherë jetë, e ndërrova njëherë kur erdha nga shoqëria civile në parlament, tani dua ta ndërroj edhe njëherë tjetër se kam akoma rini dhe fuqi për të bërë dhe një eksperiencë tjetër dhe dua thjesht të jem në rolin e njeriut që jep këshilla kur ia kërkojmë këshillat, por jo të jem në vijën e parë. Pastaj erdhi Vasilika dhe më tha mu rritën kalamajtë, të gjithë kalamajtë e mi tha janë gati të marrin stafetën që nga vajza Etilda, tek vajza tjetër Klotilda, tek djali i madh Toni. Me shumë përulësi mirënjohje dhe respekt, unë porosita dy tufa lulesh të mëdha”, tha Rama.

 Vasilika Hysi dhe Eglantina Gjermeni kanë qenë pjesë e PS-së prej 12 vjetësh si dhe kanë mbajtur poste të rëndësishme në Kuvend dhe qeveri. Tërheqje nga politika kanë dhënë edhe Besnik Bare e Sadi Vorpsi.

Partia e Myslim Murrizit dorëzon listat në KQZ

Edhe partia e Myslim Murrizit ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat shumëemërore të kandidatëve për zgjedhjet e 25 Prillit.

Partia Lëvizje Demokratike Shqiptare do të kandidojë në disa qarqe, ndërkohë që kryetari i kësaj partie do të kandidojë në 4 qarqe të ndryshme.

Deputeti opozitar do të jetë në listën e Tiranës, Elbasanit, Korçës dhe Fierit.

Pak orë nga zyrtarizimi i listave, çfarë po ndodh në dy kampet politike

Ora 12 e mesnatës do të shënojë edhe përfundimin e afatit që partitë politike të dorëzojnë në KQZ listat me emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 Prillit.

Por çfarë po ndodh në selitë e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike kur kanë mbetur dhe pak orë nga zyrtarizimi i listave.

Gazetarja e Tv Klan Elja Zotka raporton se në orën 19:30 do të mblidhet Kryesia e Partisë Socialiste. Diskutime ka për qarqet Durrës, Vlorë dhe Fier lidhur me kandidatët që do të jenë dhe për renditjen e tyre.

Ajo që dihet deri tani është fakti se Edi Rama do të kandidojë në dy qarqe, Vlorë dhe Durrës.

Ndërkohë, në kampin opozitar do të ketë një mbledhje të Krysisë gjatë pasdites dhe në orën 20:00 do të mblidhet Këshilli Kombëtar që do të vendosë për listën përfundimtare të kandidatëve.

Gazetarja e Tv Klan Jolldiz Mitro thotë se Lulzim Basha u ka dhënë vende të sigurta kryetarëve të partive aleate. Dashamir Shehi i LZHK dhe Fatmir Mediu i PR do të jenë në lista të sigurta në Tiranë. Po kështu edhe PDIU-së i janë premtuar dy vende të sigurta në Tiranë.

Vangjel Dules së PBDNJ i është premtuar vend i sigurtë në Korçë. Po kështu një pozicion fitues është premtuar edhe për Agron Dukën e Partisë Agrare Ambientaliste, ndërsa për Nard Ndokën e PDK përflitet se është vendosur në vend të 8 në listën e Shkodrës.

Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha do të kandidojë vetëm në Tiranë, së bashku me liderin historik të partisë, Sali Berishën. 

Rama sulmon koalicionin opozitar

Pjesë e listave të kandidateve për deputet Edi Rama ka vendosur të bëjë dhe 3 përfaqësues të komunitetit të emigranteve, të cilët i prezantoi teksa shpalosi planin për kthimin e emigrantëve në atdhe.

Por në liste, ai ka ftuar edhe dy kryetarë bashkish, Dritan Lelin e Vlorës dhe Dionis Imerin e Dibrës. Leli mësohet se nuk i është përgjigjur ende kërkesës së kryeministrit, ndërsa Imeri e ka pranuar atë për të qenë në një nga 3 vendet e para në qarkun ku do të jetë edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhacka.

Përballë ekipit të Partisë Socialiste, ku pak ditë më parë prezantoi edhe dy imazhe të përballjes me pandeminë dhe tërmetin, mjeken Najada Como dhe inxhinieren Luljeta Bozon, Rama tha se do të jetë një koalicion që e etiketoi si “Kap ça të kapësh”.

Duke folur për opozitën, ai sulmoi edhe krerët e partive të saj, teksa u beri një skanim figurave të tyre dhe qëllimeve që sipas tij kanë ata në këtë grupim.

“E ka të shkruar në ballë devizën e udhëheqësve. KÇK fiton, Shqipëria humbet. Luli kërkon që kepë një humbje që të jetë një fitore më e mahde se sa humbja e herës së shkuar. 

Agron Duka i vetmi kryetar partie pas 1912, i cili nuk e nxori nga garazhi partinë e tij se ai vetë jeton me tagjinë e SHQUP-it. 

Fatmir Mediu të vetmen certifikatë prone që ai ka arritur të sigurojë për ta, është hipoteka e vendit të tij si deputet. Dash Shehi , i cili arsyen më të fortë për të qenë deputet ka kafenenë e Parlamentit.

Vangjel Dule në televizor është balli i lartë i minoritetit grek dhe në KÇK-në e koalicionit është fundshpina e ulët e sekserit të Çamërisë, Tym Idrizi”.

Një copëz të planit për kthimin e pjesës më të madhe emigrantëve në Shqipëri, që është pjesë e programit Shqipëria 2030 Rama e prezantoi këtë të hënë. Kryeministri është i sigurt që do të këtë suksese që të ardhurat dhe dijet e tyre shumë shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve brenda 5 viteve do t’i investojnë në vendin e tyre.

“Ne do u ofrojmë emigrantëve një perspektivë të re”.

Rama nuk pranon akuzat se gjatë 8 viteve të qeverisjes së tij shifrat e shqiptarëve që kanë lënë vendin janë dyfishuar, sipas tij largimet më të shumta kanë qenë në 8 vitet e qeverisjes demokrate.

Lëvizja e Re dorëzon listat në KQZ

Partia Lëvizja e Re, e drejtuar nga Arian Galdini ka dorëzuar listat shumëemërore të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021.

Në listat e dorëzuara në KQZ, shihet se mbizotërojnë emrat e rinj që duan të nisin një karrierë në politikë. Drejtuesi i kësaj partie, Arian Galdini, ka thënë se kërkojnë të ndryshojnë politikën.

Galdini është një emër i njohur për publikun, pasi ka qenë dikur në radhët e PD por dhe analist në emisione të ndryshme në lidhje me politikën.

LSI dorëzon listat në KQZ, Kryemadhi kandidon në 3 qarqe

Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar sot në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve listat shumëemërore të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Ajo që bie në sy është fakti se kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi garon në 3 qarqe, Tiranë, Elbasan dhe Fier. Kandidimi në më shumë se një qark për kryetarët e partive është një e drejtë që është caktuar në ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor.

Në listat e LSI, janë ish-deputetë dhe ish-drejtues të institucioneve të ndryshme shtetërore, por ka dhe emra të rinj që garojnë për herë të parë.

Në listë është dhe emri i deputetit aktual, Lefter Maliqi, i cili kandidon në qarkun e Beratit.

Japin dorëheqjen dy kryebashkiakët e PS, do të futen në listat e deputetëve

Dy kryebashkiakë të Partisë Socialiste kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet e tyre zyrtare për shkak se do të futen në listat e kandidatëve për deputetë të PS.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të televizionit Klan News.

Bëhet fjalë për kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, dhe për kryetarin e Bashkisë së Dibrës, Dionis Imeraj.

Të dy do të përfshihen në listat e kandidatëve të PS për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Partia e Jozefina Topallit dorëzon listën e kandidatëve në KQZ

Partia Lëvizja për Ndryshim që drejtohet nga Jozefina Topalli është bërë partia e parë që ka dorëzuar listën shumë emërore të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një njoftim për mediat ka bërë me dije se partia e Topallit ka deponuar listën.

Pak ditë më parë Topalli ka prezantuar disa nga kandidatët që do garojnë për një vend në Parlament, ku binte në sy se shumica e tyre ishin pedagogë.

Dorëzimi i listës nga Lëvizja për Ndryshim bëhet pak orë para mbarimit të afatit ligjor të dorëzimit të listave që është njoftuar më herët nga KQZ.

Tashmë pritet që dhe partitë e tjera të dërgojnë emrat e kandidatëve. Por ashtu si edhe në të gjitha zgjedhjet e mëparshme, partitë kryesore politike nuk i kanë mbyllur ende listat dhe kanë vendosur që t’i dorëzojnë ato në limitetet kohore./tvklan.al