Komisioni Europian rekomandoi pa kushte çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Në prezantimin e progres-raportit në Strasburg, përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini dhe komisioneri per zgjerimin Johanes Hahn, thanë se Shqipëria e ka merituar rekomandimin, pasi ka përmbushur kriteret dhe ka përparuar në reforma.

Federica Mogherini: “

Sot Komisioni rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Çdo vend është vlerësuar në bazë të meritave të veta dhe gjithashtu për krijimin e klimës për përparimin e reformave”.

Johannes Hahn: 

“Dua të uroj partnerët tanë për këtë punë të suksesshme, është një punë e kryer mirë, jemi në rrugën e duhur. Është e rëndësishme të theksojmë se nuk ka rrugë të shkurtër drejt BE-së dhe se i gjithë ky proces është bazuar në merita të arritura. Kush është i shpejtë dhe punon në atë që duhet bërë, duhet të vlerësohet”.

Mogherini e quajti këtë vendim të Komisionit një inkurajim për reformat, si një apel edhe për shtetet anëtare dhe Këshillin Europian që do të kenë fjalën e fundit në Qeshor mbi këtë proces.

“U takon shteteve anëtare për të vlerësuar progresin e bërë dhe të marrin vendimin. Natyrisht që ky është një proces dhe avancimi dhe thellimi i reformave aktuale duhet dhe jam e sigurt se do të vijojë në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e drejtësisë, të drejtat e njeriut, reformën administrative. Jam e sigurt se vendet do të sigurojnë përmbylljen e reformave”.

Në progres-raport vlerësohen lufta kundër korrupsionit, por tërhiqet vëmendja për më shumë hapa konkretë. Brukseli mbështet krijimin e një zinxhiri organizmash antikorrupsion, ku përfshihet edhe ngritja e një posti të një prokurori të posaçëm përmes amendimeve të kodit të procedurës penale.

Përsa i përket trafikut të drogës, Komisioni vëren përpjekje, por kërkon më shumë rezultate në çmontimin e grupeve kriminale dhe goditjen e aseteve kriminale e pasurive te pajustifikuara.

Kjo është hera e dyte që Komisioni rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërine, por hera e parë që nuk vendos kushte, çka shton shpresat për një vendim pozitiv në Qershor.

Tv Klan