Palëve ju bëhet thirrje që të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare

Në progres raportin vjetor për Kosovën dhe Serbinë palëve u janë rikujtuar marrëveshje në Bruksel dhe Ohër, në mënyrë që t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet dhe simbolet kombëtare. Për Kosovën, marrëveshja nënkupton njohje de facto nga Serbia, ndërsa Prishtina duhet të formojë pa vonesë një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Raporti i progresit i referohet ngjarjes se 24 shtatorit si një “sulm i dhunshëm“ ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa në raport flitet edhe për atë si një operacion i madh i kontrabandës së armëve.

Në këtë progres raport i bëhet thirrje Serbisë për bashkëpunim të plotë në hetimet e kësaj ngjarje dhe që të nxirren para drejtësisë përgjegjësit e sulmit të 24 Shtatorit.

Raporti e konsideron tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotin e tyre të zgjedhjeve lokale të prillit të vitit 2023 si “shkelje të angazhimeve të Serbisë”. Raporti përmend edhe disa detyrime të tjera nga dialogu të cilat nuk janë zbatuar, përfshirë edhe hapjen e urës mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut dhe marrëveshjen për energjinë.

Serbia përmendet sipas Brukselit se nuk zbaton as marrëveshjen për kadastrat dhe diplomat universitare për menaxhimin e përbashkët të kufirit, për mbylljen e rrugëve ilegale për kalimin e vijës kufitare dhe ta zgjidhë çështjen e lëshimit të targave të makinave.

Të mërkurën, në takimin e Kolegjit të 27 komisionerëve evropianë, do të miratohet paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit.

Është hera e parë që raportet do të miratohen për 10 vende që janë në këtë proces. Janë gjashtë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – pastaj Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, ndërsa raport progresi i bëhet ende edhe Turqisë, e cila vazhdon formalisht ta ketë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

Klan News