Bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor për sigurinë, mbrojtjen e kufijve të Bashkimit Europian dhe luftën kundër trafiqeve ka qenë një nga pikat e rëndësishme të takimit të ministrave të brendshëm të Bashkimit Europian në Bruksel. Komisioneri europian përgjegjës për migracionin, çështjet e brendshme dhe qytetarinë, Dimitris Avramopoulos ka deklaruar, se bashkëpunimi me Ballkanin në këto aspekte është bërë më i rëndësishëm se kurrë, ndërkohë që rëndësinë e rritjes së këtij bashkëpunimi e ka artikuluar qartë edhe ministri i brendshëm bullgar Valentin Radev, në emër të presidencës bullgare.

 

“Dua të ndalem te vendet e Ballkanit, ku bashkëpunimi për migracionin, sigurinë dhe mbrojtjen e kufinjve është bërë më i rëndësishëm se kurrë. Ne duam të vazhdojmë të angazhohemi me Ballkanin në të gjitha aspektet, duke përfshirë mbrojtjen e kufijve të BE-së, luftën kundër terrorizmit, luftën kundër radikalizimit, luftën kundër krimit të organizuar, drogës, trafikut të qelive njerëzore dhe trafikut të armëve”,

tha Dimitris Avramopoulos.

 “Së bashku me ministrat e brendshëm të Bashkimit Europian, ne diskutuam fushat në tê cilat bashkëpunimi me vendet e Ballkanit duhet të rritet, që kanë të bëjnë me luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, trafikut tê armëve dhe trafiqeve të tjera, si dhe mbrojtjes së kufijve”,

u shpreh Valentin Radev, ministri i Brendshëm bullgar.

Deklaratat e ministrit të brendshëm bullgar dhe komisionerit Avramopolos janë bërë gjatë konferencës për shtyp pas takimit të ministrave të brendshëm tê Bashkimit Europian në Bruksel, ku janë diskutuar disa çështje lidhur me sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit në BE.

Tv Klan