Specialistët: Të sëmurët kronikë, më të rrezikuarit

Të sëmurë kronikë, me probleme kardiake, të diabetit apo me tumor. Janë këta viktimat e koronavirusit që ka shpërthyer mbi 30 vende. Mes 2704 viktimave nuk ka asnjë person që nuk ka pasur sëmundje të tilla, përveç mjekut të spitalit të Wuhanit, i cili dha i pari alarmin për virusin.

Shefja e pavijonit të infektivit në QSUT, Najada Çomo sjell si shembull atë që po ndodh në Itali.

“Grupmosha e prekur më tepër është grupmosha që ka sëmundshmëri kronike dhe mbi moshën 60-65 vjeçare. Sepse në 100, 98 shërohen dhe 2 përqindëshi është vdekshmërie. Në rastet e referuara nga shëndetësia italiane kanë qenë njerëz që kanë pasur shumë sëmundje kronike”.

Çomo thotë se në Shërbimin Infektiv janë kryer të gjitha trajnimet e nevojshme për koronavirusin. Pjesë e tyre ishin edhe fotot që ajo publikoi në rrjetet sociale, që më pas i fshiu, çka shkaktoi jo pak konspiracion.

“Unë nuk po gjeja dot radhën për të nxjerrë ata që meritojnë t’i nxjerrësh për arsye sepse janë veshur dhe kanë shërbyer. Ato që keni parë juve janë trajnimet që janë bërë dhe natyrisht fotot e atyre që u kanë shërbyer personave të dyshuar. Dhe mos të tremben duke menduar se jemi duke fshehur një rast që është me infeksione koronavirusi.”

Studimet epidemiologjike të kryera deri tani nga specialistët në botë tregojnë se rreziku për të humbur jetën nga koronavirusi lidhet me moshën dhe reagimin e organizmit.

Tv Klan