Projekti lejon lëvizjen e lirë të qytetarëve në sezonin veror

Certifikata e vaksinës nuk është tashmë vetëm një ide. Komisioni Europian ka prezantuar projektin konkret, madje edhe të detajuar të këtij dokumenti që ka për qëllim të shpëtojë sezonin turistik veror të këtij viti.

Projekti u prezantua këtë të Mërkurë nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, në një konference për shtyp në Bruksel me Komisionerin për Drejtësinë dhe atë për Tregun e Brendshëm Europian.

Siç shpjeguan zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian, certifikatën mund ta marrin të gjithë shtetasit e vendeve të Bashkimit Europian, pavarësisht nëse janë apo jo të vaksinuar, duke shmangur diskriminimin e të pavaksinuarve. Ajo do të shërbejë për të udhëtuar lirshëm mes vendeve të unionit.

Certifikata e Gjelbër Dixhitale mund të jepet në formë elektronike përmes celularëve ose i printuar. Përveç vaksinimit, dokumenti mund të përmbajë të dhëna për të pavaksinuarit që vërtetojnë rezultatin negativ të ditëve të fundit në testet anti-Covid ose nivelin e anti-trupave të zhvilluar nga kalimi i infeksionit.

Komisioni Europian sqaroi se bëhet fjalë për një dokument të përkohshëm që nuk do të zëvendësojë pasaportat apo mjetet e tjera të identifikimit.    

Tv Klan