Varhelyi: Synon të mbyll hendekun ekonomik mes BE dhe Ballkanit

Komisioni Europian prezantoi këtë të Mërkurë në Bruksel, krahas paketës së zgjerimit për vitin 2023 edhe një plan të ri rritjeje për përafrimin e nivelit ekonomik dhe shoqëror të Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Europian, ku synon të bëhet pjesë. Duke folur për parimet e këtij plani, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi tha se Komisioni synon të verë në dispozicion 6 miliardë euro shtesë për përshpejtimin e reformave në vendet e rajonit.

“Plani i ri synon të mbyllë hendekun ekonomik dhe social mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian dhe të krijojë mundësinë për integrimit të rajonit në Bashkimin Europian, që përpara se ata të anëtarësohen”.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen rikujtoi se procesi i zgjerimit është një histori suksesi pa precedentë.

“Zgjerimi është një investim për sigurinë tonë, pasi futja e anëtarëve të rinj në BE i mbron ata nga ndërhyrjet e huaja dhe stabilizon fqinjët tanë”.

Sa i përket paketës së zgjerimit, Kosova mbetet i vetmi vend pa një ftesë. I gjithë problemi është dialogu me Serbinë.

“Implementimi i draft-statutit për bashkësinë e komunave do të jetë një hap i madh përpara dhe është në interes të Kosovës”.

“Për Kosovën, rruga europiane kalon përmes një dialogu të suksesshëm me Serbinë”.

Komisioni Europian rekomandoi këtë të Mërkurë, hapjen e negociatave të anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë, por edhe për Bosnjen me kusht përmbushjen e të gjitha rekomandimeve si dhe dhënien e statusit të vendit kandidat Gjeorgjisë.

Tv Klan