Grante dhe kredi për vendet e BE të goditura nga pandemia

12.9 miliardë euro është fondi që Komisioni Europian ka veçuar për Ballkanin Perëndimor në plan-buxhetin shumëvjeçar për periudhën 2021-2027. Bëhet fjalë për fondet që jepen nga Bashkimi Europian për fazën e paraanëtarësimit. Komisioni e ka shtuar buxhetin për rajonin, duke përfshirë edhe fonde për procesin e rimëkëmbjes pas krizës së Covid-19.

Për vendet anëtare janë parashikuar në total 750 miliardë euro, prej të cilave, 500 miliardë do të jepen si grante, ndërsa pjesa tjetër në formë kredie, siç saktësoi presidentja e Komisionit Europian Ursula fon der Lajen në një sesion parlamentar të jashtëzakonshëm.

“Gjërat që i kemi marrë për të sigurta po na vihen në diskutim. Asnjë prej tyre nuk mund të ndreqet nga një vend i vetëm. Kemi një situatë që na takon të gjithëve dhe që është më e madhe se çdokush prej nesh. Tani është momenti i Europës”.

Plan-buxheti kap një vlerë totale prej 1.1 triliardë eurosh, më i madhi në historinë e unionit. Aty përfshihen kredi afatgjata që do të nisin të shlyhen për 30 vite duke nisur nga 2028. Fondet u shtuan pasi vende si Italia dhe Spanja, vatrat më të mëdha të pandemisë në Europë, kritikuan institucionet në Bruksel për mungesë solidariteti mes vendeve anëtare në kriza të tilla, duke vënë në pikëpyetje nevojën për ekzistencën e unionit.

Megjithatë vende si Austria, Holanda, Danimarka e Suedia e kundërshtojnë idenë e dhënies së granteve për vendet e jugut të Bashkimit Europian, pasi sipas tyre çdo vend anëtar duhet ta përballojë vetë koston e rimëkëmbjes përmes kredive të buta. Paketa duhet të marrë miratimin e eurodeputetëve.

Tv Klan