Ligji i miratuar në fshehtësi nga parlamenti shqiptar për ndalimin e pijeve energjike e freskuese për të gjitha moshat nën 18-vjeç shkel rregullat globale të tregtisë. Ky qëndrim vjen nga Drejtoria e Përgjithshme për Tregun e Brendshëm, Industrinë dhe Sipërmarrjen dhe Biznesin e Vogël në Komisionin Europian.

Sipas këtij departamenti, që është përgjegjës për politikat e tregtisë dhe sipërmarrjes brenda tregut të përbashkët europian, autoritetet shqiptare duhet të kishin njoftuar Bashkimin Europian, siç parashikohet në marrëveshjen për Barrierat Teknike të Tregtisë të Organizatës Botërore të Tregtisë.

“Sipas dispozitave të Marrëveshjes për Barrierat Teknike të Tregtisë, anëtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë u kërkohet të njoftojnë ligjet e tyre që kur ato janë në periudhën e draftimit, për t’u dhënë mundësinë anëtarëve të tjerë të Organizatës që të japin brenda një kohë të arsyeshme komentet e tyre, kohë e cila, sipas përcaktimeve të Komitetit të Rekomandimeve të marrëveshjes për Barrierat Teknike të Tregtisë, duhet të jetë të paktën 60 ditë nga data e publikimit të njoftimit nga Sekretariati i Organizatës Botërore të Tregtisë.”

Ndryshe nga sa thuhet në detyrimet e Organizatës Botërore të Tregtisë, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria prej 18 vjetësh, parlamenti shqiptar e miratoi pa e vënë në dijeni këtë organizate për ndryshimet në ligjin që ndalon tregtimin, konsumimin apo reklamimin e pijeve energjike dhe freskuese për moshat nën 18 vjeç, madje edhe pa e konsultuar atë me grupet e interesit në vend.

Në një përgjigje që i dërgon organizatës UNESDA, e cila përfaqëson industrinë e pijeve jo-alkoolike në Europë, ky organizëm i Komisionit Europian, nënvizon do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në këtë rast.

“Normalisht, kur Bashkimi Europian vihet në dijeni nga palët e interesuara apo autoritete qeveritare të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe informohet se një masë e tille shqetësuese për të cilën nuk është informuar sipas marrëveshjes për Barrierat Teknike të Tregtimit, ne se pari do ta ngrejmë çështjen duke kontaktuar Zyrën e Hetimit për marrëveshjen e Barrierave Teknike të Tregtimit dhe autoritetet që hartojnë legjislacionin e anëtarit përkatës të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe nëse nuk marrim ndonjë reagim brenda një kohe të arsyeshme, do ta diskutojmë këtë çështje në komitetin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që mbahet në Gjeneve.”

Në këtë rast specifik, thuhet në përgjigje, Komisioni Europian do të kontaktojë Zyrat e Hetimit te marrëveshjes për Barrierat Teknike të Tregtisë në Shqipëri dhe do t’u kërkojë atyre të njoftojnë masat e marra sipas të detyrimeve që përcakton marrëveshja e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Ligji i iniciuar nga deputeti Erion Braçe u miratua pa kaluar më parë në qeveri. Ai nuk ka hyrë ende në fuqi, pasi nuk është dekretuar ende nga Presidenti i Republikës.

Juristë që po ndjekin çështjen thonë se ligji, që synon të mbrojë të rinjtë nga kafeina dhe obeziteti, është hartuar pa u bazuar në asnjë studim shkencor mbi ndikimin e këtyre pijeve tek adoleshentet.

Po ashtu, thonë juristët, ai shkel marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që i kërkon Shqipërisë t’i përarfojë ligjet me ato europiane dhe tashmë është edhe në shkelje të marrëveshjeve të tjera që ka Shqipëria me Bashkimin Europian apo me Organizatën Botërore të Tregtisë, siç thuhet në komentin e Komisionit Europian.

Tv Klan