Komisioneri Europian për Çështjet e Emigracionit dhe Sigurisë, Dimitris Avramopulos vlerëson përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Në përgjigjen e një letre të marrë nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në të cilën Ministri i kërkonte ndihmë në këtë luftë, Komisioneri Avramopulos e përgëzon atë dhe autoritetet e zbatimit të ligjit, bashkë me Guardia di Financën.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim autoritetet shqiptare në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Unë, personalisht, ju përshëndes Ministër, stafin tuaj të zbatimit të ligjit dhe Guardia Di Financa-n për përpjekjet që keni ndërmarrë në këtë fushë.

Rezulatet e aksionit tuaj provojnë se keni të drejtë. Unë gjithashtu dua të inkurajoj autoritete shqiptare të vazhdojnë një luftë më të gjerë kundër krimit të organizuar me forcë, edhe nëpërmjet Reformës në Drejtësi. Rezultatet e përmirësuar në këtë luftë do t’ju ndihmojnë në shtimin e financimin e përpjekjeve tuaja”.

Komisioneri Avramopulos thotë se hapat pozitive që Shqipëria ka shënuar në këtë luftë, siç u vlerësua në muajin Mars nga Nënkomiteti i Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, duhet të shoqërohen me aksione të fuqishme parandaluese dhe procese të sukseshme në gjykata.

“Në takimin e fundit të Nënkomitetit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme në Mars, Komisioni mirëpriti operacionet e suksesshme të policisë dhe bashkëpunimin me autoritetet e zbatimit të ligjit të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në luftën kundër trafikimit dhe prodhimit të drogës.

Këto hapa pozitivë duhe të shoqërohen me aksione të fuqishme parandaluese dhe një ndjekje gjyqësore të sukseshme.

Komisioni gjithashtu inkurajon autoritetet shqiptare të shtrijnë në mënyrë sistematike hetimet mbi asetet financiare të organizatave kriminale dhe rrisin numrin e konfiskimit të këtyre aseteve dhe të dënimeve”.

Duke i kërkuar ndjesë për përgjigjen e vonuar të letrës së dërguar me 21 Shtator 2016, Komisioneri Avramopulos thekson se Bashkimi Europian dhe vendet anëtare kanë kontribuuar në mënyrë thelbësore për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj për të luftuar trafikantët e drogës të lidhur me krimin e organizuar.

Ai nënvizon se ndihma e Bashkimit Europian kontribuoi në ndërtimin e kapaciteteve të agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri që të ndërmarrin hetime proaktive dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës.

Tv Klan