Në garë ka mbetur vetëm 1 emër

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi zhvilloi të martën mbledhjen e radhës. Të pranishëm në atë takim ishin anëtarët e KED, anëtarët zëvendësues, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, përfaqësuesit e Presidentit, përfaqësuesi i kryetarit të Kuvendit dhe përfaqësuesja e ODPDAT.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi mendimin e Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi ndalimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar për 4 aplikues.

“1. Sergjio Mazreku,për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

2. Sinan Tafaj,për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

3. Shaqir Hasanaj, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

4. Zhaklina Peto, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019”.

KED sqaron se për kandidatët për të cilët është vendosur ndalimi, kanë patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. Ndërkohë do të vijojë procedura për shqyrtimin e gjetjeve për dy kandidatë të tjerë, Sonila Bejtja dhe Eugen Papandile.

Deri më tani KED ka miratuar vetëm kandidaturën e Sokol Binajt për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, çka e bën të pamundur vijimin e procesit të zgjedhjes së anëtarit të ri të kësaj gjykate. /tvklan.al