Keidi Bare në Barcelonë


Keidi Bare në Barcelonë

07:20 24/09/2020

Futbollisti kuqezi firmos me Espanyol: Mezi e kam pritur këtë ditë

Keidi Bare është tashmë zyrtarisht një lojtar i Espanyolit në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll. Mesfushori i kombëtares shqiptare ka firmosur një kontratë 4-vjeçare me skuadrën e dytë të qytetit të Barcelonës, nga e cila do të përfitojë gjysmë milioni euro në sezon. Në fjalët e para pas firmës me Espanyol, Bare u shpreh se e kishte pritur gjatë këtë transferim, ndërkohë që 23-vjeçar shtoi se ka gjithë forcën për rikthimin e skuadrës në elitën e futbollit spanjoll La Liga.

Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Kam pritur gati dy muaj, por tani jam gati. I njoh tifozët, të cilët janë shumë besnik ndaj ekipit. Ata i ndodhen pranë Espanyolit në kohë të mira dhe të vështirë, gjithmonë na brohorisin. Espanyoli është një klub historik me një traditë të gjatë në La Liga dhe këtë vit shpresojmë të rikthehemi. Jam lojtar agresiv dhe energjik. Jap gjithmonë 100% në stërvitje dhe ndeshje. Uroj të kontribuoj”, tha Bare.

Për kartonin e  Bares, Espanyol pagoi 2.5 milionë euro, shtuar këtu edhe një bonus prej 1 milion euro që do të shkojnë në arkat e klubit të Malagës në bazë të paraqitjeve të lojtarit. Një detaj që ende mbetet për t’u zgjidhur është fakti se Bare nuk është regjistruar ende si futbollist i skuadrës së Espanyol, kjo për shkak se bardheblutë kanë tejkaluar kufirin e pagave të futbollistëve dhe për këtë, i duhet të sakrifikojë pjesëtarë të tjerë të ekipit.

Në gjurmët e fierakut ishin edhe dy skuadrat e Seria A italiane, Hellas Verona dhe Parma, por Espanyol lëvizi shpejt duke gjetur edhe akordin. Kjo do të jetë eksperienca e 4-të në karrierë për mesfushorin shkatërrues të dalë nga akademia e Apolonisë, ku hapat e parë i hodhi pikërisht tek kjo skuadër, për të vijuar më pas te Atletico Madrid B dhe Malaga.

Klan Plus





Të ngjashme