“Do ndërtoj 500 parqe të gjelbërta në lagjet e Tiranës”

Brenda mandatit të parë në krye të bashkisë së Tiranës, kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi, premtoi kthimin e Lanës në një lum të pastër ku nuk do të derdhen më ujërat e zeza. Premtimin Këlliçi e bëri gjatë prezantimit të programit për mjedisin dhe pyjet në Tiranë.

“Lumi Lana, brenda mandatit të parë, do të kthehet në një hapësirë pushimi dhe rekreacioni. Ujërat e zeza nuk do të derdhen më në Lanë, në liqenin artificial apo atë të Farkës. Në segmentin lumor, nga “Materniteti i Ri” e deri te “Pallati me Shigjeta”, kudo ku të saktësojnë ekspertët e fushës, do të shtrohen tuba në skarpatën e lumit, që do të mundësojnë kalimin e ujërave të zeza nga daljet e deritanishme me dy kolektorë me kapacitet të madh, të cilët do të lidhen me impiantin e ujërave të zeza në Kashar”, u shpreh ai.

Një tjetër angazhim ishte edhe ai është ai për ndërtimin e 500 parqeve të gjelbërta në lagjet e kryeqytetit që do të kenë një kosto prej 5 milionë Eurosh.

“Janë 500 oaze të gjelbërta, apo 500 vendpushime në qytet, nga një për secilën lagje”, tha Këlliçi. 

Në programin e tij për mjedisin dhe pyjet Këlliçi tha se parashikon edhe ngritjen e të paktën 6 parqeve publike në kurorën e Tiranës, me sipërfaqe që shkojnë më shumë se 2 mijë hektarë në total.

Tv Klan