Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka treguar se si do të realizohet transporti falas në Tiranë nëse ai do të zgjidhet kryebashkiak i kryeqytetit në 14 Maj.

I ftuar në “Milori Live” në Klan News, Këlliçi ka thënë i bindur se pas 14 Majit do të bëhet transporti publik falas dhe se kushton 16.5 milionë Euro.

Belind Këlliçi: Çdo ditë ndryshe nga modeli që kam përballë, jam çdo ditë në terren në qytet dhe në fshat për të marrë të gjitha idetë dhe sinqerisht ndihem mirë për faktin që kanë vendosur që kështu nuk vazhdon më. Nëse ka një njeri që ka premtuar gjëra që nuk i ka mbajtur dhe ai quhet Erion Veliaj. Ai do të vinte trenin elektrik në Tiranë në vitin 2018. Ky kryebashkiaku i rrenave, të marrësh këtë seriozisht është e panevojshme. Ky ka thënë se ka mbjellë 1 milionë pemë, duhen 15 mijë fusha futbolli të mbjellura me pemë.

Transporti publik falas do të bëhet pas 14 Majit, fare thjeshtë. Kushton 16.5 milionë Euro në vit. Transportin publik e marrin 200 mijë qytetarë në ditë mesatarisht. Nga këta, priten 100 e 40 mijë bileta 400 Lekëshe në ditë, që do të thotë 56 milionë Lekë të vjetra në ditë. Që do të thotë 1,5 milionë Euro në muaj, që do të thotë 18 milionë Euro në vit. Nga këto 18 milionë, 1,5 milionë Euro i subvencionon Bashkia e Tiranës. Mbeten 16,5. Ndërkohë, buxheti i Bashkisë Tiranë është 240 milionë Euro. 16,5 tek 250 milionshi është 6.8 për qind. Unë besoj se do të ishte një lajm fantastik për këdo kryetar bashkie që të alokonte vetëm 6.8 për qind të buxhetit në total që ka në administrim për të ju përgjigjur një shërbimi publik që e marrin 200 mijë qytetarë në ditë. Problemi është se kur nuk ke në fokus qytetarin e thjeshtë, kjo nuk të shkon ndërmend. /tvklan.al