Kryeministri i vendit Edi Rama, morri pjesë në aktivitetin “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri” për modernizimin e administratës publike.
Gjatë fjalës së tij, Rama solli në vëmendje sulmin kibernetik nga Irani, ndërsa vuri në dukje se në vitin e kaluar janë bërë 42 sulme serioze dhe vetëm në 2023 janë bërë 63 sulme serioze. Lidhur me këto sulme kreu i qeverisë u shpreh se të gjitha janë zbrapsur duke mos krijuar probleme.
Po ashtu shtoi se falë bashkëpunimit dhe punës së vazhdueshme, është krijuar një nga fuqitë mbrojtëse kibernetike më të avancuara në Europë.
“Dua t’ju informos se vitin e kaluar kemi pasur 42 sulme serioze dhe një vit përpara në 2023 kemi pasur 63 sulme serioze dhe ju nuk dini asgjë për këto se sulmet që zbrapsen nuk përbëjnë lajm dhe këtu hyn edhe faktori i tretë i këtij revolucioni që është AKCESK-u, agjencia e re që ne kemi krijuar për mbrojtjen kibernetike.
Në këtë rast nuk është një grua, por është një burrë në krye që ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe bashkëpunimi është absolutisht baza e këtij suksesi që na ka dhënë mundësinë që sot ta themi me plot gojën që kemi një nga fuqitë mbrojtëse kibernetike më të avancuara në Europë dhe pa kostot marramëndëse të disa më të pasurve që kanë mundësi të shpenzojnë më shumë duke përdorur inteligjencën dhe eksperiencën e njerëzv, talentet shqiptare që falë shpërblimeve si të tregut që ju kemi vënë në dispozicion i kemi mbledhur në këto tre kompani dhe realisht asnjëherë mos thuaj kurrë sepse edhe forcat malinje sofistikohen dhe kjo është një luftë e përditshme. Këtu flasim për 42 sulme të forta ose për 63 më parë që kanë qenë pjesa dërmuese nga i njëjti aktor dhe i kemi zbrapsur. Ndërkohë shtrirja e mbrojtjes në sektorin privat vazhdon dhe ju bëj thirrje sektorit privat të mos e nënvlerësojnë rezikun nga terroristët dixhital. Kemi ecur shumë mirë me bankat në bashkëpunim, por ka shumë akoma boshllëqe që duhen mbushur, për të mos lejuar që armiqtë të gjejnë pika të dobëta dhe të godasin duke krijuar dëme që shumë herë mund të jenë të pallogaritshme, shprehet Rama.
/tvklan.al