Këndet e lodrave në lagjet e Tiranës do të jenë sërish prioritet i kryebashkiakut Veliaj edhe në mandatin e tij të dytë. Teksa inspektoi punimet për këndin e ri në zonën e Don Boskos, ai premtoi hapësira të tilla në çdo lagje.

“Fill pas zgjedhjeve vijojmë me një nga projektet që e kam shumë më afër zemrës sime, por besoj edhe për prindërit e Tiranës, këndet e lodrave. Nëse bëmë diçka mirë në mandatin e parë, ishte fakti që çdo muaj bëmë nga një kënd të ri lodrash. Besoj se do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, çdo muaj me nga një kënd të ri lodrash edhe në mandatin e dytë. Pra, në qoftë se kemi bërë 46-47, të bëjmë edhe 50 të tjera, prandaj besoj se deri në fund të këtij mandati të kemi 100 kënde lodrash, në 100 pika të ndryshme të Tiranës”. 

Kryebashkiaku theksoi se kjo hapësirë do të jetë edhe në funksion të të rriturve

“Shpresoj që funksionet e munguara për një komunitet me 5 mijë banorë, t’i kemi pasqyruar në këtë kënd të ri lodrash. Jam shumë i bindur se edhe për të rriturit, edhe për gjyshet dhe gjyshërit që dalin me fëmijët, hapësirat rekreative, një stol, një lojë domino, një shah, është një mundësi fantastike që edhe ata të argëtohen, e që të mbajnë një sy te djemtë dhe vajzat e komunitetit”.

Këndi i lojërave në rrugën “Eshref Frashëri” në zonën e “Don Boskos”, në Njësinë 9, ka një sipërfaqe rreth 700 m2 dhe veç moduleve të lodrave për fëmijë do të ofrojë një hapësirë të gjelbëruar, me ambiente çlodhje dhe ndriçimin përkatës.

Tv Klan