Veliaj: Do të shtojmë hapësirat për fëmijët

Ka arritur në 60 numri i këndeve të lojërave në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj vizitoi këtë të hënë këndin e sapopërfunduar tek zona e Shallvareve, prej nga tha se të tjera hapësira do të shtohen për fëmijët.

“I jemi rikthyer traditës, prapë e kemi kthyer te sporti këtë hapësirë. Ne kemi pasur 1 parim, për çdo muaj të hapim 1 kënd lojërash dhe për 60 muaj ne kemi 60 kënde lojërash. Kemi nevojë për parqe të mëdha si parku Rinia këtu mbrapa, por kemi nevojë edhe për këto mikrokëndet e vogla”.

Po ashtu vijojnë pagesat cash për ato familje që pësuan dëme më të lehta nga tërmeti i Nëntorit.

“Ne kemi kaluar 1500 pagesat e para, kemi edhe 1500 pagesa të tjera për të plotësuar 3000 pagesat kesh për rregullimin e shtëpive, ndërkohë që për 15 familje që janë kategoria DS4 është bashkia që do t’i bëjë riparimet pasi kërkon një inxhinieri më të sofistikuar”.

Në Tiranë janë 870 shtëpi, të cilat për shkak të dëmeve të shumta nga tërmeti duhen riparuar apo ndërtuar nga e para.

Tv Klan