Edicioni i 21-të nën moton “Këndo për të ndërtuar”

Takimi i dytë me edicionin e 21-të të Këngës Magjike vërtetoi edhe njëherë peshën e këtij festivali. Nisi me humor, me një përmbledhje të momenteve më të bukura të jurisë gjatë 11-javëve të së Dielës Shqiptare.

Ardit Gjebrea dhe Adrola Dushi shoqëruan publikun në një maratonë muzikore, që u çel nga zëri potent i Dilan Rekës. Duket se tashmë mban një përgjegjësi akoma më të madhe.

I kthyer në një festival ndërkombëtar, zërat e huaj, pjesë e tij e krahasojnë vazhdimisht me Sanremon apo edhe festivale të tjerë të përmasava të tilla.

“Ma zgjat dorën” ishte kënga që solli emocionet rrëqethëse në sallën Pallatit të Kongreseve.

Me një interpretim që përfshiu gjithë publikun, Eneda Tarifa tregon se frymëzimi për ta ngjitur këtë këngë drithëruese në skenë vjen pikërisht nga misioni i këtij festivali “Këndo për të ndërtuar”.

Plot vetëbesim “Gjeniu i Vogël” Inis Neziri si këngë më të mirë cilëson vetëm një… E teksa artistët e vjetër e shijuan skenën magjike, të rinjtë ishin në ethet e votimeve.

Nga 9 këngëtarët “New Artist” vetëm Xheisara nuk pati mundësinë të kalonte në kategorinë “Big” për t’u pajisur me një kod që të votohej edhe nga publiku apo këngëtarët e tjerë, duke i dhënë mundësinë të shkonte ose jo në natën finale.

E teksa këngët, skenografia, ndriçimi të ndërthurura mirë me njëra-tjetrën sollën edhe në këtë natë të dytë një spektakël madhështor, do të jetë finalja e madhe që do të mbahet këtë të shtunë, në Pallatin e Koncerteve ajo që do të zbulojë fituesin e këtij edicioni të veçantë.

Gjithçka do të transmetohet drejtpërdrejtë vetëm në ekranin e Televizionin Kombëtar Klan.

Tv Klan