Artistët e dytë të kësaj jave në Kënga Magjike, vijnë për herë të parë në këtë festival.

Bëhet fjalë për Ardit Stafai dhe Salije Bajrami. Kjo e fundit ka rrëmbyer 5 çmime të para që në moshë të vogël e të njëjtin sukses ka patur edhe në festivalet ndërkombëtare duke u vlerësuar me 9 çmime të para. Salija ka fituar çmimin “Grand Prix” në Maltë si këngëtarja më e mirë zgjedhur nga 45 shtete pjesëmarrëse.

Nga ana tjetër Arditi njihet si tenor lirik, pedagog kantoje, profesor pianoje dhe solfezhi në Gostivar. Fitues i edicionit të dytë “Vip Shpija” në Kosovë. Pjesëmarrës dhe fitues i shumë çmimeve në festivale si: “Nota Fest”, “Show Fest” , “Poli Fest” dhe “Festivali i Këngës”.

Arditi: Më në fund vendosët të vini në Kënga Magjike. Përse pritet kaq gjatë?

Ardit Stafai: A ka më mirë se ta bëj rikthimin tim në skenë me Këngën Magjike?!

Arditi: Faleminderit! Kemi disa pyetje nga publiku dhe le t’i ndjekim së bashku.

Për dyshen e njohur të artistëve kishte edhe pyetje nga publiku

Çfarë ka ndryshuar nga muzika e viteve 2000 me atë të sotmen?

Ardit Stafai: Më pëlqen fakti që janë pyetje shumë me vend ndërsa përsa i përket muzikës nga vitet 2000 e pas sigurisht çdo moshë do muzikën e vetë. Kohërat kanë ndryshuar, ndonëse unë nuk e parapëlqej shumë këtë muzikën bashkëkohore. Megjithatë edhe në komercializëm ka vlera, nuk do të thotë që është komerciale dhe nuk ka vlera. Kemi artistë të mirë, secili në mënyrën e tij dhe në variantin e tij, mundohen të vijnë tek publiku në mënyrën më të mirë.

Arditi: Le te shohim pyetjen për Salijen.

Adoleshentët shpesh në muzikë vijnë me stile provokuese dhe veshje ekstravagante, ndërsa ti këndon “covera”, potpuri, këngë për Kosovën dhe prapë e ruan atë imazhin serioz. Përse është kjo zgjedhje?

Salija: Unë e dua të mirën, e adhuroj të bukurën dhe elegancën por jo ekstravagancën e tepruar. Përsa i përket këngëve unë gjithmonë kam punuar me profesionistë të muzikës dhe më kanë ushqyer me këngët e bukura shqiptare dhe artin e bukur shqiptar. Kështu që edhe në festivalet internacionale që kam marrë pjesë unë gjithmonë jam paraqitur me këngë shqip.