Nata e dytë e edicionit të katërt të spektaklit “Këngët e Shekullit” i ishte kushtuar muzikës popullore të jugut të Shqipërisë. Ishte Irini Qirjako këngëtarja që interpretoi një kolazh sëbashku me formacionin orkestral të spektaklit.

“Fustanin që ta solla mbrëm” dhe “Mora rrugën për Janinë” ishin dy hitet e para që interpretoi këngëtarja.

Grupi “Ali Pshë Tepelena” ishte i ftuar në “Këngët e Shekullit”, ku interpretuan sëbashku me Qirjakon një prej këngëve më të njohura të jugut “Llaj llaj çobani”.

Mbrëmja e natës së dytë vijoi me këngët “Në ato male mbi Sopot” dhe “Moj kunadhe leshverdho”.

“Hodha një lule në ferrë” ishte kënga e radhës që interpretoi këngëtarja e cila u pasua me një këngë trimërie të repertorit të saj, titulluar “Te rrapi në Mashkullorë”.

Prej më shumë se dy dekada Irini Qirjako përmes zërit të saj ka qenë prezente në gëzimet e familjeve shqiptare dhe ishte pikërisht kjo atmosferë që ajo solli edhe në “Këngët e Shekullit” me këngën “Me shëndet baba se ika” dhe “Me hair e me të mbarë”.

Rovena Ibrahimi, Mishel Qendro dhe Drini Kanani ishin të ftuar në natën e muzikës kushtuar jugut të Shqipërisë. Sëbashku me këngëtaren Irini Qirjako ato interpretuan këngët “Një baçe me portokoalle” dhe “Thëllëzat që hedhin valle”.

Tre tenorët e “Gjeniut të Vogël” Klejti Mahmutaj, Riad Pashi dhe Tedi Paçrami interpretuan këngën “Bishtalecat palë palë” dhe sëbashku me Irini Qirjakon mbyllën mbrëmjen me këngën “A kanë ujë ato burime”.

/tvklan.al