Ajo është një këngëtare e njohur e muzikës popullore e moderne në Kosovë, por edhe vajza e një prej këngëtareve të mëdha, Shkurte Fejza.

Bëhet fjalë për Gresa Behlulin, e cila vetëm para pak ditësh i dha fund beqarisë, në një dasmë madhështore. Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku tregoi emocionet e ditës së saj të dasmës.

“Kisha shumë stres përpara dasmës dhe do doja t’i thoja vajzave ta shijojnë dhe të mos stresohen gjatë organizimit. Kam kënduar me mamin natën e dasmës dhe është kënga më e veçantë që unë kam kënduar deri tani. Kënga ishte përgatitur vetëm për atë natë. Është këngë që i përshtatet ditës së dasmës dhe titullohet “Nëna përcjell vajzën”. Dekorin e zgjodha sipas preferencave të mia dhe e përshtata edhe me fustanin, i cili ishte stil mbretëror. Grimin e zgjodha shumë natyral, doja të dukesha e thjeshtë. Disa prej veshjeve dhe fustanin e bardhë atë kryesorin kam zgjedhur t’i mbaj për vete. Këpucët preferova të mos i zgjedh shumë të larta, madje mbajta një palë që i kisha blerë një vit e gjysmë më parë sepse të rejat të vrasin”,

tha Gresa Behluli.

Këngëtarja po ashtu tregoi se njihej me bashkëshortin e saj prej 10 vitesh, por ka preferuar ta ruaj jetën private pasi e konsideron të shenjtë.

“Unë isha shumë e re kur e njoha Lulzimin. Ai ka një biznes privat dhe unë kam këto punët profesionale dhe gjithmonë jemi kombinuar në këtë pikë. Kemi një lidhje shumë të shëndoshë, nuk jemi ndarë asnjëherë në këto 10 vite. E kam ruajtur jetën private sepse për mua ka qenë e shenjtë. Ai ka shije të mirë për muzikën, por nuk është pjesë e artit. Pavarësisht angazhimeve profesionale që kemi të dy, krijimi i familjes për mua është prioritet”,

u shpreh këngëtarja.

/tvklan.al