Ertila Koka është një këngëtare, e cila ndonëse fillesat e saj i ka si soprano, nga publiku shqiptar identifikohet më së shumti me muzikën pop. Ajo ka mbaruar për Kanto në Akademinë e Arteve të Bukura dhe është diplomuar si soprano. Ndonëse i pëlqen muzika klasike, ajo iu përkushtua më tepër muzikës pop dhe asaj të lehtë.

E ftuar pasditen e sotme në programin “Rudina” në Tv Klan, këngëtarja ka zbuluar më shumë për jetën e saj artistike por jo vetëm.

Së fundmi, Ertila ka realizuar një projekt të ri muzikor, në bashkëpunim me  këngëtarin ndërkombëtar, Adam Clay.  Ai njihet për hitet e tij  botërore “Babilonia”, Beautiful life”, “Touch the sky”.

“Ishte një surpizë për mua vitin që kaloi. Mora një telefonatë nga një miku im që është menaxher dhe më thotë: Ertila kam një këngë shumë të bukur, një material, por që mund të shkojë vetëm ty, sepse ka një pjesë pak si operistike tek fragmenti i këngës. Më tha të shkon shumë si këngë. E dëgjova më pëlqeu shumë. Më pëlqeu dhe fakti që ishte me Adam Clay sepse përveçse është një këngëtar shumë i famshëm nëpër botë, ishte dhe një njeri shumë i mirë. Pastaj ai erdhi, regjistruam këngën, bëmë videoklipin”.

Ertila kishte menduar të vinte dhe ta promovonte këngën në muajin Nëntor tek emisioni “Rudina”, por nuk mundi edhe për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit. Ajo e kishte përjetuar mjaft keq atë periudhë dhe madje edhe përlotet në studio kur e kujton.

E kam përjetuar shumë keq. Isha në Milano. Nuk kam qarë ndonjëherë një javë në jetën time, sepse merrja familjen gjithë kohën… dhe shumë keq”./tvklan.al