Ylli i muzikës pop, Taylor Swift, i është bashkuar kastit  të aktorëve të filmit të ardhshëm të regjisorit, David O. Russell, i njohur për realizimin e filmave të suksesshëm Hollywood-ian, “Silver Linings Playbook” dhe “American Hustle”.

Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se xhirimet tashmë kanë përfunduar. Swift i është bashkuar yjeve të njohur të kinematografisë si Christian Bale, Margot Robbie, John David Washington, Robert De Niro, Rami Malek, Mike Myers e të tjerë.

Russell në këtë film të ardhshëm luan rolin e regjisorit dhe skenaristit, duke shënuar kështu projektin e tij të parë të filmit me metrazh të gjatë që nga ai i vitit  2015, “Joy”. I vetmi detaj i konfirmuar rreth këtij projekti është se ai do të lancohet nga studio “20th Century”, që është pjesë e kompanisë “Disney”.

Kjo do të jetë paraqitja e parë e Taylor Swift-it pas filmit të vitit 2019, “Cats”, i cili ishte adaptuar nga muzikali i Andrew Lloyd-Webberit projekt për të cilin, këngëtarja me famë botërore kishte kompozuar  një këngë origjinale me titull, “Beautiful Ghosts”.

Klan News