Denoncimi i rastit të 3-vjeçares së dhunuar nga edukatorja Majlinda Dehimaj në kopshtin privat “4 Stinët” është denoncuar 1 ditë më pas nga nëna e saj.

Pas kallëzimit, shpjegon halla e 3-vjeçares gjatë komunikimit me emisionin “Opinion” në Tv Klan, iu është kërkuar që të marrin një raport nga Mjekësia Ligjore. Mjekësia Ligjore ka kërkuar që 3-vjeçarja me këmbën e thyer të shkojë në ambientet e tyre për ekzaminim.

Babai i vajzës i ka kërkuar drejtoreshës së kopshtit, Entela Danushit regjistrimet e kamerave të cilat ishin sekuestruar nga policia. Më daatë 4, ai telefonohet nga shefi i krimeve në Komisariatin Nr.1 i cili i ka dhënë pamjet duke ia përmendur si “nder” por ka vijuar edhe me kërcënime në rast se pamjet transmetoheshin.

Ndryshe nga ç’iu ishte thënë, pamjet ishin pa audio dhe të shkëputura. Babai i 3-vjeçares ka arritur të gjejë momentin që ka ngritur dyshime në orën 3 të mëngjesit.

Familjarja: Të nesërmen është bërë një kallëzim më datë 2 Nëntor nga kunata ime. Kallëzimi është bërë te Ergys Brahimaj. Zotëria në fjalë ka thënë që unë nuk kam çfarë denoncimi të marr sepse unë fola dje me të afërmit tuaj. Ndërkohë i është hedhur poshtë kjo, e ka marrë kallëzimin nga kunata ime dhe i ka dhënë një fletushkë për Mjekësinë Ligjore dhe i ka thënë në momentin që do kesh raportin nga Mjekësia Ligjore, bashkë me denoncimin që ke bërë do shkosh në komisariatin nr. 1.

Është drejtuar vëllai te Mjekësia Ligjore dhe i kanë thënë djalë i dashur, ti duhet të sjellësh vajzën këtu që të procedojmë. Vëllai i ka thënë nuk mund ta sjell fëmijën 3 vjeç me femurin e thyer që ju të procedoni, duhet të vini ju te spitali. Më vjen keq nuk të ndihmoj dot. Vëllai im është kthyer mbrapsht. Ne kemi qenë me shpresën se ky denoncim ka shkuar dhe mua më bëri shumë përshtypje fakti që kunata ime nuk kishte asnjë kopje të denoncimit, pra kishte bërë një deklaratë, kishte firmosur diçka, por nuk kishte asnjë kopje siç ndodh zakonisht.

Vëllai i ka dërguar mesazh Entelës duke i thënë që bën mirë të nxjerrësh pamjet filmike të kopshtit nga momenti që është futur vajza deri në momentin që ne kemi dalë të gjithë nga kopshti për ta dërguar te Pediatria.  Zonja i ka thënë të ftoj të vish t’i marrësh këto pamje në kopsht. Policia ka ardhur t’i sekuestrojë të gjitha materialet dhe i ka marrë kështu që kur të keni dëshirë jo të shkoni te komisariati, por të vini te unë t’i shikoni pamjet, unë i kam mesazhet këtu të gjitha.

Blendi Fevziu: Po edhe?

Familjarja: Të nesërmen në datën 4 shefi i krimit Ylli Çako telefonon kunatën time për denoncimin që është bërë. Ajo i ka kërkuar pamjet filmike dhe zotëria i ka thënë që mua me ligj nuk më lejohet që t’ju jap juve pamjet filmike por të paktën për hatrin tuaj mund të vini t’i shikoni te rajoni i policisë nr.1. Ka shkuar im vëlla dhe zotëria i ka thënë po ta bëj ty si nder, të jap një USB me pamjet filmike, këtu i ke të gjitha me audio. Por po të them sot që nëse këto pamje publikohen, i jepen dikujt tjetër, ti personalisht do jesh penalisht i ndjekur nga unë. Kjo është thënë nga zoti Ylli Çako.

E ka vendosur USB në laptop dhe ka gjetur rreth 60 video të cilat një pjesë kanë qenë të dublikuara, pra video të ngjashme, të gjitha kanë qenë të prera dhe asnjëra s’ka pasur audio. Ka marrë Ylli Çakon në telefon, i ka kërkuar sqarim për ëktë dhe zotëria i ka thënë më fal djalë, çfarë formimi ke? Vëllai im i ka thënë kam formim të mesëm, shkollën e mesme kam bërë. Epo më vjen keq që nuk është faji im që nuk dini të përdorni një USB, aty e keni të gjithë materialin. Kam shkuar unë te spitali, kam marrë USB-në, e kam hapur, i  thashë vëllait tim këto janë të gjitha materialet që ke ti, nuk ka asgjë më shumë e as më pak. Më pas, po i shmang disa nga detajet se nuk dua të zgjatem shumë. Ka qenë pikërisht ajo natë që vëllai im ka marrë USB-në dhe i ka hapur videot një e nga një sepse zoti Ylli Çako nuk kishte kohë ti shikonte.

Blendi Fevziu: Dhe ka gjetur momentin?

Familjarja: Po. Pikërisht në orën 3 të natës në momentin që ka qenë duke u dorëzuar sepse ishte një fragment shumë i shkurtër më ka marrë në telefon dhe më ka thënë që e kapa sepse ne kaq material kishim, kaq na u mundësua, nuk kishim asnjë pamje tjetër. Ky ka qenë momenti që ne kuptuam që diçka nuk shkonte me këtë çështje.

Familjarja shton se videot me audio i kanë parë për herë të parë nga emisioni “Stop” i cili bëri publik rastin./tvklan.al