Presidenti Ilir Meta ka reaguar i revoltuar pas lajmit se prokurori i Përmetit Asllan Bajrami është kërcënuar nga persona të panjohur, pasi në dritaren e zyrës së tij i kishin lënë një fishekë si mesazh kërcënimi.

Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë se kjo është një ngjarje tepër e rëndë dhe e dënueshme, e që duhet të nisë hetim i menjëhershëm.

Kërcënimi për shkak dhe në krye të detyrës i Prokurorit të Përmetit, z.Asllani Bajrami, është një ngjarje tepër e rëndë dhe e dënueshme. Nevojitet një hetim i shpejtë për vendosjen para ligjit të kujdo, që guxon të kërcënojë përfaqësuesit e shtetit, për t’i penguar ata të ushtrojnë detyrën të pandikuar. Revanshi i krimit kërkon masa të menjëhershme efektive, reaguese dhe parandaluese, nga të gjitha institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike”, thotë Presidenti Ilir Meta. /tvklan.al