Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së “Hotel Sheraton”, si dhe të një kamera të vendosur në sheshin “Nënë Tereza”.

Këto kamera dyshohet kanë filmuar momentin kur Rektori Dhori Kule është përballur me Emiljano Shullazin, ashtu siç pretendohet në hetimin e nisur për këtë çështje, pas denoncimit të bërë publik nga ish – Kryeministri Sali Berisha.

Nga vëzhgimi i deritanishëm i kamerave, oficerët e Policisë Gjyqësore nuk kanë mundur të gjejnë filmime ku të shihen Rektori Kule dhe Shullazi.

Burime të grupit hetimor bëjnë me dije se kërcënimi dyshohet të ketë ndodhur të premten e 15 Prillit. Për këtë arsye po shqyrtohen të gjitha filmimet e asaj dite.

Sipas deklaratës së bërë nga ish – Kryeministri Berisha, Shullazi ka ndaluar në mes të sheshit “Nënë Tereza” me tre makina dhe i ka kërkuar Rektorit Kule, duke e kërcënuar, që të mos e mbeshtesë kandidatin për rektor, Mynyr Koni.

Rektori Kule është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila këtë rast e ka përfshirë në dosjen hetimore kundër Shullazit.

Deklarim në polici ka bërë edhe akademiku Koni, i cili ka thënë se nuk i njeh personat që e kanë kërcënuar.

Tv Klan