Uniformat blu të Kosoves do të vijojnë punimet përkatëse për arrestimin e ndonjë person të dyshuar, lidhur me kërcënimin me jetë të bërë ndaj Presidentes Vjosa Osmani disa ditë më parë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka autorizuar forcat blu për identifikimin dhe kapjen e çdo personi të përfshirë në këtë ngjarje, siç raporton Klan Kosova.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar informacion nga Policia e Kosovës lidhur me rastin konkret. Në kuadër të kësaj ka autorizuar Njësinë përkatëse të policisë që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me identifikimin dhe zbulimin e kryersit të mundshëm të veprës penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Lidhur me kërcënimin ndaj të parës së shtetit, ka reaguar ashpër dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu. Ky i fundit përmes një postimi në rrjete sociale ka shkruar se kërcënimet ndaj Osmanit janë të përsëritura, teksa u bën thirrje institucioneve për të ndërrmarrë masat e duhura që autorët të përballen me drejtësinë.

/tvklan.al