Policia shton masat e sigurisë pranë banesës së tij

Kjo ishte pamja pranë banesës së Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti mbrëmjen e së mërkurës. Shkak për këtë shtim të forcave të sigurisë është bërë një kërcënim që ka marrë kreu i ekzekutivit.

Lajmin e konfirmoi për Tv Klan zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu. Ai tha se për këtë arsye si masë paraprake është rritur edhe niveli i sigurisë për të parin e qeverisë. Ndryshe nga herë të tjera, i shoqëruar edhe nga forca të njësisë speciale, Kurti është kthyer në banesën e tij rreth orës 22:00.

Megjithatë zëdhënësi tha se nuk ka detaje se cili është kërcënimi dhe kush e ka bërë atë. Sipas të njëjtave burime, institucionet përkatëse të hetuesisë dhe sigurisë kanë nisur punën për të zbardhur ngjarjen.

“Janë institucionet që bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse. Në anën tjetër, kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”, tha zëdhënësi.

Në mediat e Kosovës raportohet se kërcënimi është bërë nëpërmjet rrjeteve sociale nga një person me profil fals. Ato kanë publikuar edhe këtë premtim të një personi në Facebook që jep 50 mijë Euro për vrasjen e Albin Kurtit.  

Tv Klan