Një 40-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Kolonjës. Mësohet se ai ka kërcënuar dhe goditur për shkak të detyrës dy punonjës së Bashkisë, drejtorin e kabinetit dhe shefin e shërbimeve.

Policia ka njoftuar se ai i ka goditur punonjësit për motive të dobëta. Gjithashtu 40-vjeçari ka kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë të rendit publik, gjatë shoqërimit të tij për në Komisariat.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”./tvklan.al