Policia e Vlorës ka dhënë informacion zyrtar për ngjarjen e ndodhur këtë të hënë në këtë qytet, ku një i ri kërcënoi se do të shpërthente me bombol gazi një dyqan.

Kështu, sipas njoftimit zyrtar, policia thotë se “rreth orës 12:50, shërbimet e Policisë Vlorë, pasi kanë marrë njoftimin se në lagjen “Lef Sallata”, një person i sëmure nga shëndeti mendor po sillte shqetësime për banorët, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar se ky shtetas ishte izoluar i vetëm, në një lokal, duke mbajtuar në dorë një palë gërshërë dhe më pas ka marrë një bombul gazi”.

28-vjeçari, thotë policia, dhe pas negociatave me shërbimet e Policisë Vlorë, nuk pranoi të dilte dhe kërcënoi se do të përdorte bombulën e gazit për të dëmtuar veten.

Në ndihmë të shërbimeve është afruar grupi i FNSH-ës të cilët falë ndërhyrjes profesionale dhe të shpejtë bën të mundur neutralizimin dhe shoqërimin e 28-vjeçarit.

Në përfundim të veprimeve 28 vjeçari me iniciale A. G., u shoqërua në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali”, Vlorë për të marrë mjekimin e nevojshëm./tvklan.al