Nga 2013-ta rritja është 40%, të tretët më të shtrenjtët në Europë

Çmimet e banesave janë rritur edhe gjatë periudhës së pandemisë. Sipas Indeksit Fischer të matur nga Banka e Shqipërisë, në gjysmën e parë të vitit çmimet e shtëpive u rritën me 4.9% në të gjithë vendin krahasuar me fundin e vitit 2019, ku vetëm për kryeqytetin rritja ishte me normën 6.5%.

Agjentët imobiliarë shprehen se pavarësisht se çmimet po rriten, kërkesa në këtë periudhë është më e ulët, ndërsa koha e shitjes së një apartamenti është rritur.

“Kërkesa ka rënë pas tërmetit dhe pandemisë, ndërkohë vemë re që çmimet janë rritur në mënyrë të ndjeshme”.

Që prej vitit 2013 e deri më sot çmimet e banesave janë rritur me 40%, për shkak të rritjes së taksave mbi këtë sektor, por dhe cilësisë më të mirë të ndërtimit.

“Pronarët e tokave kërkojnë rreth 40-45% të pjesës së pallatit në këmbim të tokës. Taksat e bashkisë dhe infrastrukturës janë rritur shumë. Nga ana tjetër cilësia e ndërtimit në këto pallatet e reja pas vitit 2015 është më e lartë”.

Në një indeks të agjencisë Numbeo, një ndër portalet më të mëdha që merret me investimet në prona, Shqipëria rezulton vendi i 3-të në Europë me çmimet më të larta të apartameteve në raport me të ardhurat për frymë, duke u renditur pas Serbisë dhe Çekisë.

Sipas indeksit të Bankës Qëndrore rreth 60% e pronave për banim dhe qëllim tregtar janë blerë me hua bankare, duke pësuar një rënie nga vlera 65% të periudhës paraardhëse.

Tv Klan