“E vetmja gjë që i kishte mbetur ishte një kukull që e mbante në dorë”

Forcat e Armatosura kanë qenë aktive me grupet e punës në terren në çdo moment që pas tërmetit të 26 Nëntorit. Ata kanë qenë pjesë e skuadrave të shpëtimit dhe kanë ndihmuar me ngritjen e kampeve dhe kujdesin për të lënduarit dhe të pastrehët.

Efektivëve të Forcave të Armatosura Shqiptare, iu bashkuan edhe ata të Kosovës dhe së bashku luajtën një rol thelbësor në përballimin e gjendjes së emergjencës pas tërmetit.

Të ftuar në programin “Rudina” këtë pasdite kanë qenë Besiana Gjoka, kapitene nga Komanda e Mbështetjes Forcave të Armatosuar Shqiptare dhe Erlis Berçaj nga Forcat e Armatosura Shqiptare Tokësore.

Ka qenë një situatë e vështirë për gjithë vendin tonë, si rezultat i tragjedisë që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit që tronditi vendin tonë. Edhe për Gjokën dhe Berçaj kanë qenë momentet më të vështira të përjetuara ndonjëherë.

Ndoshta ishte momenti më i vështirë që kemi kaluar kohët e fundit. Për mua, personalisht ka qenë moment shumë i vështirë, si për vete, për familjen dhe gjithë popullin shqiptar. Nuk është e lehtë të kesh një dhimbje, të kesh humbje të personave“.

Më tej, Besiana Gjoka tregon edhe një situatë të sikletshme dhe mjaft emocionuese për të.

Ndoshta ishte momenti më i sikletshëm, afrohet goca rreth moshës 4 –vjeçare dhe më thotë: Teta të lutem do më ndihmosh për shtëpinë që më është shembur. Dhe nuk e di, nuk gjeja dot fjalët ta shprehja, si do ta ndihmoja. E vetmja gjë që i thashë ishte, çdo gjë do bëhet mirë, rëndësi ka që jeni shëndoshë e mirë, familja. Sepse banonte me të atin, të ëmën dhe gjyshen. E vetmja gjë që i kishte mbetur ishte një kukull që e mbante në dorë”.

Më 4 Dhjetor u shënua 107-vjetori i themelimit të Forcave të Armatosura. Në një postim në rrjetet sociale, Ministrja Olta Xhaçka ka shpërndarë dhe një video, ku lexohet një letër e vogëlushes 10-vjeçare, Kleas, shtëpia e së cilës u shemb nga tërmeti dhe ajo ka falenderuar Forcat e Armatosura./tvklan.al