Avokati kërkon pezullim të procesit, kundërshton kreu i ILD

Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi këtë të martë seancën për kërkesën e ILD për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, e arrestuar pak ditë më parë për korrupsion.

Avokati i Hoxhës kërkoi pezullimin e procesit, pasi sipas tij, magjistratja duhet të jetë në seancë dhe duhet kohë për mbledhjen e provave, si dhe për një propozim drejtuar ILD-së për marrëveshje.

Kjo kërkesë u kundërshtua nga kreu i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani.

“Nuk jam dakord për shtyrjen. Procesi i rregullt ligjor përfshin edhe mbrojtjen nga avokati. Elementët e procesit të rregullt ligjor përmbushen me prezencën e avokatit. Sa i takon kohës që kërkohet për t’u njohur me faktet, dua të kujtoj se hetimi ndaj magjistrates ka nisur më 16 korrik 2020, pra prej asaj date magjistratja është ajo njohur me dokumentet që ILD kishte në dispozicion dhe magjistratja ka patur mundësi e kohë për mbrojtjen. Edhe avokati ka patur kohë sepse është caktuar më 27 janar. Sa i takon marrëveshjes që përmendi avokati, unë nuk kam asnjë propozim zyrtarisht. Kur ta kem do e shqyrtoj edhe pse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i qartë për këtë çështje”, tha Metani ndër të tjera.

Në përfundim, KLGJ vendosi shtyrjen e seancës për në datën 25 Shkurt. Nënkryetari Maks Qoku kërkoi nga magjistratja që të saktësojë vullnetin për të qenë në seancë dhe sa i takon kërkesave të tjera, ato të diskutohet pas paraqitjes së mbrojtjes. Avokatit duhet ta paraqesë mbrojtjen me shkrim më 23 Shkurt.

Qëndrimin e tij në seancë, kreu i ILD, e ripërsëriti edhe pas përfundimit të saj.

“Avokati kërkoi shtyrjen e seancës unë nuk isha dakord sepse mendoj që magjistrati dhe avokati kanë pasur kohën e mjaftueshme për të gjitha argumentet dhe provat që shoqërojnë argumentet e ILD. Gjithsesi KLGJ mori vendimin për ta shtyrë dhe unë respektoj vendimin e KLGJ“, tha Metani për gazetarët. Edhe sa i takon marrëveshjes që përmendi avokati, Metani i tha se nuk kishte asnjë kërkesë zyrtare.

Gjyqtarja Hoxha dhe 9 personat e tjerë u arrestuan disa ditë më parë, pasi dyshohen se janë të përfshirë në një skemë korrupsioni. Ditën e shtunë të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme ku u lanë të gjithë në masën arrest burg./tvklan.al