Nis verifikimi nga organet ligjzbatuese pas kërkesës nga Meta para dekretimit

Prokuroria e Posaçme menjëherë pasi ka marrë kërkesën nga Presidenti i Republikës Ilir Meta për verifikimin e 16 kandidatëve për ministra, të propozuar nga Kryeministri Edi Rama, kanë nisur hetimet. Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja thekson faktin që kjo çështje do të kryhet me përparësi për shkak edhe të afatit 7 ditor që ka presidenti për të bërë ose jo dekretimin.

Kraja theksoi faktin që brenda afatit ligjorë që parashikon ligji do t’i përgjigjen kërkesës së kreut të shtetit. Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme u ka dërguar një email zyrtarë të gjitha organeve të hetimit në vend për të marrë informacion për të 16 emrat e propozuar. Nëse ndonjëri prej tyre do të rezultojë që është në fazë verifikimi ose hetimi atëherë presidenti mund të mos bëj dekretimit e atij individi si Ministër.

Prokuroria e Posaçme si organi kompetent që ka për detyrë të hetojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, ka dhe detyrën më të vështirë pasi nëse rezulton që ndonjëri nga kandidatët është në fazë hetimi apo verifikimi, mund të mos dekretohet nga Presidenti. Por nga ana tjetër mund të dëmtojë hetimin e SPAK.

Meta ka kërkuar informacion për secilin prej tyre, për shkak se këtë të drejte ia jep ligji. Por të gjitha organet e hetimit do të duhet që të kryejnë të gjitha veprimet e tyre hetimore brenda një kohe shumë të shkurtër, pasi kreu i shteti ka vetëm 7 ditë kohë për t’u shprehur për propozimet e Ramës. Në të shkuarën Rama dhe Meta janë përplasur për dekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm.   

Klan News