Parlamenti do të votojë për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit

Një javë afat për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për ti hequr imunitetin e deputetit Sali Berishës, do të jetë mjaftueshëm për Kuvendin e Shqipërisë, i cili nuk do të humbasë kohë, por menjëherë pas Këshillit të Mandateve, do të zhvillojë seancën plenare për të votuar.

Teksa Këshilli i Mandateve pritet të zhvillohet të hënën në 18 dhjetor me kërkesë të SPAK,  Klan News mëson se një ditë më pas në 19 dhjetor, do të zhvillohet seanca plenare, në të cilën nuk pritet të kemi asnjë surprizë nga vota pro e mazhorancës.

Me interes pritet qëndrimi i deputetëve demokratë të cilët sërish kanë mosbindje civile, por që kanë lënë një mundësi të hapur për votim në rast se mazhoranca pranon kërkesat e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore.

Nga ana tjetër, Sali Berisha po përpiqet të sofistikojë mënyrat e mosbindjes civile, në kushtet kur për pak ditë i vendoset në rrezik imuniteti i deputetit.

Klan News