Presidenti Meta po shkon drejt dekretimit të Sandër Lleshit në detyrën e Ministrit të Brendshëm. Përmes zëdhenësit të tij, Tedi Blushi, vetëm 24 orë pasi i ka shkuar mbi tryeze për herë të dytë për dekretim emri i Lleshit, kreu i shtetit nënvizon se nuk mundi që herën e parë të sqarohej plotësisht nga institucionet për kandidaturën. Ndryshe nga gjuha e përdorur në të kaluarën, ai thotë se ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese duke përfshirë edhe Kuvendin në këtë afat te ri 7 ditor.

“Prej ditës së djeshme, ka nisur procedurën lidhur me këtë proces të ri, Presidenti ka vendosur të informojë mbi kërkesat e tij edhe Kryetarin e Kuvendit, pasi procedura e emërimit të një ministri është proces bashkëpunimi i detyrueshëm e kushtetues midis tre institucioneve (Kryeministri, Presidenti, Kuvendi). Presidenti Meta është i vendosur të përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese me rigorozitet dhe brenda afateve kushtetuese, vetëm në interes të respektimit të Kushtetutës dhe forcimit të sigurisë kombëtare ku Ministria e Brendshme ka një rol kyç.”

Këtë lëvizje të Presidentit e ka përshëndetur menjëherë kryeministri Rama përmes drejtorit të komunikimit, Endri Fuga. Ne reagim nënvizohet se “herën e parë”, Presidenti nuk kërkoi asnjë lloj sqarimi nga Kryeministri, madje ishte kreu i ekzekutivit qe nxiti takimin sqarues pas letrës ku refuzohej pa argumente gjeneral Sandër Lleshit, si Ministër i Brendshëm. Zyra e kryeministrit thotë se me përgjigjet që Presidenti do të marrë të hënën ka besim në dekretimin e Lleshit si ministër.

“Presidenti do të marrë bashkë me përgjigjet edhe një zgjidhje shteruese, e cila nuk lë më asnjë shteg për interpretime të asnjë lloji. Për asnjë palë. Duke shprehur besimin se në këtë proces të ri, ku Kuvendi ka padiskutim fjalën e fundit pas Kryeministrit e Presidentit, Presidenti i Republikës, nuk do të këtë asnjë arsye të lëkundet në bindjen e vet për respektimin e Kushtetutës dhe do ta dekretojë Ministrin e Brendshëm, Kryeministri i Shqipërisë do të bashkëpunojë me durim e me përkushtim të plotë me Presidentin e Republikës, për ta ngjitur me sukses krisjen kushtetuese që ka sjellë e shtuna e shkuar.”

Krisja kushtetuese për të cilën flet Fuga nisi pas mosdekretimit të Sandër Lleshit nga Meta. Rama e akuzoi për shkelje të kushtetutës Presidentin, ndërsa Meta u përgjigj duke thënë se ata që ngrenë të tilla akuza janë diletante e amatore. Por deklarata e sotme e presidencës tregon se tonet mes dy institucioneve po ulen dhe qe Presidenti mund t’i hape dritën jeshile Lleshit për të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe për ta bërë këtë ministri funksionale, siç kanë kërkuar edhe ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Tv Klan