Ambasadorët amerikanë dhe britanikë në Kosovë reaguan ashpër sonte ndaj nismës për të diskutuar në parlament shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme për krime lufte.

Kryesia e parlamentit u mblodh dy herë të premten për të caktuar një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje, pas një kërkese të nënshkruar nga 43 deputetë. Në mungesë të kuorumit ajo në të dyja rastet, ajo vendosi që të mos provojë mbajtjen e seancës. Në takimin e kryesisë nuk morën pjesë përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike, lëvizjes Vetëvendosje dhe as të Listës serbe.

Ambasadori amerikan Greg Delawie, i cili qëndroi në mjediset e parlamentit tha se “Shtetet e Bashkuara i kundërvihen çdo përpjekjeje për të ndryshuar apo shfuqizuar ligjin për Gjykatën e Posaçme. Më duhet të them se jam vërtetë i dëshpëruar që kjo doli prej asgjëkundi gjatë disa ditëve të fundit. Pa debat publik, për një çështje me interes thelbësorë për qytetarët e Kosovë, është e turpshme nga pikëpamja ime.

Këto përpjekje, nëse kanë sukses, do të kenë ndikime të thella negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Kjo do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një thikë pas shpine. Kosova do të zgjedhë izolimin në vend të bashkëpunimit dhe më duhet të them se do të urrenim kthimin e orës prapa për Kosovën në përparimin e saj deri këtu.

U bëj thirrje udhëheqësve të Kosovës, të ndihmojnë në hedhjen poshtë të këtyre përpjekjeve. Të gjithë duhet të mendojnë për interesin e shtetit dhe dy milionë qytetarëve të Kosovës ne vend të interesave të tyre personale. Mbështetja ndërkombëtare për Kosovën është ndërtuar mbi idenë që Kosova do të merret me drejtësi me individët që kanë kryer krime lufte. Lëkundja nga ky angazhim do të ketë ndikime jashtëzakonisht negative për Kosovën, për qytetarët e saj dhe për marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara”, tha ambasadori amerikan.

Ambasadori britanik Ruari O’Connell, shprehu keqardhjen me përpjekjet për shfuqizimin e ligjit. Ai tha se “Kosova i ka dhënë besën BE-së dhe botës dhe nëse shfuqizohet tash ligji, reagimi do të jetë shumë i madh dhe dëmton dhe shkatërron Kosovën. Kemi investuar shumë në Kosovë për të pasur një shtet të qëndrueshëm dhe të fortë, kemi interes për të parë Kosovën shtet të ligjit. Nëse kjo ndodhë, kush mund të besojë që Kosova është shtet i ligjit. Shpresoj që çdo deputet do të marr parasysh interesin e shtetit të Kosovës. Shpresoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe sonte mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”, tha ai.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova tha se “nisma e tillë është e tmerrshme dhe shumë e dëmshme për Kosovën. Një veprim i tillë do të rrezikonte të gjithë punën e përbashkët gjatë viteve të kaluara në sundimin e ligjit dhe drejtësisë dhe do të dëmtonte të gjithë ata që ngriheshin për t’i dhënë fund mosndëshkimit”.

Lidhja Demokratike e Kosovës braktisi mbledhjen e kryesisë së parlamentit e cila më pas u shty për në orën 21, duke kundërshtuar idenë për shfuqizimin e ligjit.

Në një deklaratë, nënkryetari i kësaj partie Kujtim Shala, tha se “hapat e nxituar mund të prodhojnë situate të reja që do të rrezikonin qëndrueshmërinë dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Tendencat për të shfuqizuar ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është tepër e rrezikshme dhe e fut vendin në aventura të paparashikueshme.

LDK vlerëson se të gjitha çështjet dhe posaçërisht ato me rëndësi jetike për ekzistencën e vendit, duhet të trajtohen me maturi dhe pa nxitim. LDK e sheh si jetike për vendin ruajtjen e raportit të miqësisë me SHBA-të, me vendet e BE-së dhe NATO-n. Kosova është vendi dhe shteti ynë që e kemi ndërtuar bashkë me miqtë tanë dhe së bashku do të ecim në rrugën e integrimeve euro-atlantike. LDK fton subjektet politike dhe institucionet e Kosovës që të reflektojnë në përputhje me interesat e qytetarëve të vendit tonë. Në asnjë rast nuk do të jetë pjesë e veprimeve të pamatura dhe nuk do të lejojë që fati i qytetarëve tanë të futet në rrugë të paqartë”.

Ideja për shfuqizim pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën. Peticioni me 16 mijë nënshkrime është dorëzuar në parlament.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin “dhomat e posaçme” do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata është vendosur në Hagë për faktin se siç është thënë dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës./VOA