Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas depozitimit në Kuvend të kërkesës nga rreth 50 deputetë për shkarkimin e tij. Kreu i shtetit e konsideron këtë kërkesë të mazhorancës si “shashkë” dhe bën thirrje që që përqendrimi të jetë tek mbyllja e procesit zgjedhor, që siç thotë Meta nuk ka përfunduar ende.

Ilir Meta: Të përqendrohemi në mbylljen e procesit zgjedhor. Asgjë nuk ka përfunduar! Të vazhdojë administrimi i çdo kontestimi dhe ankese deri në rinumërimin e votës së fundit. Detyrë e të gjithë subjekteve të ndjekin procesin deri në fund. Mos u merrni me “shashka”, por me hetimin e krimeve zgjedhore!

Rreth 50 deputetë depozituan në Kuvend kërkesën për të nisur procedurën për shkarkimin e Presidentit Meta. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se ai së bashku me kolegët e tjerë kanë vlerësuar se Meta ka kryer shkelje përpara dhe gjatë fushatës elektorale. Sipas Ballës, Meta ka kryer veprime që bien në kundërshtim me Kushtetutën. Deputeti socialist u shpreh se Kuvendi aktual ka sovranitetin e duhur për ta shqyrtuar këtë kërkesë pasi mandatin e ka deri në Shtator.

Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta edhe më herët i ka quajtur këto akuza dhe këtë nismë si “shashka” nga mazhoranca për të tërhequr vëmendjen nga përmbyllja e procesit zgjedhor. Pas zgjedhjeve të 25 Prillit, Meta deklaroi se do ta ushtrojë deri në fund mandatin e tij të Presidentit.

/tvklan.al