Në një intervistë për emisionin “Pro Business” në Tv Klan Filip Gjoka, kryetar i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, ka parashtruar kërkesat e sektorit drejtuar forcave politike që garojnë për zgjedhje.
Sipas Shoqatës së Bimëve Mjekësore, nevojitet, lehtësime fiskale për të inkurajuar investimet në sektor. Programe trajnimi për të tërhequr punëtorë të rinj në zonat rurale. Mbështetje për marketingun ndërkombëtar për të zgjeruar tregjet e eksportit. Investime në teknologji për të rritur cilësinë dhe konkurrencën.
Filip Gjoka, kryetar i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, thekson se industria po përjeton një krizë të fuqisë punëtore për shkak të migrimit nga zonat rurale në ato urbane. Përveç kësaj, sektori nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga institucionet, pavarësisht kontributit të tij në eksporte.
Bimët mjekësore dhe aromatike janë një nga sektorët me potencial të ekonomisë shqiptare, duke ofruar mijëra vende pune dhe kontribuar në rritjen e eksporteve. Megjithatë, ky sektor po përballet me sfida të shumta, nga mungesa e fuqisë punëtore deri te pengesat fiskale dhe nevoja për mbështetje më të fortë nga qeveria.
Një nga tregjet kryesore për bimët mjekësore shqiptare ka qenë SHBA-ja, por tensionet tregtare dhe vendosja e tarifave prej 10% nga administrata amerikane kanë rritur presionin mbi eksportuesit.
“Pezullimi i tarifave për 3 muaj nga SHBA-ja është një lehtësim, por ne po negociojmë për zgjidhje afatgjatë dhe po kërkojmë tregje të reja ndërkombëtare,” shpjegon Gjoka.
Gjoka thekson se ky sektor ka potencial të madh, por pa ndërhyrje të shpejtë, rrezikohet humbja e pozicioneve në tregjet globale./tvklan.al