Palët ulen në tryezë javën e ardhshme

Për një orë dhjetëra mjekë e infermierë të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza kanë lënë mjediset e punës për t’iu bashkuar protestës se thirrur nga sindikata e punonjësve të shërbimit shëndetësor, përpara shërbimit të urgjencës. U protestua për sigurinë e jetës, pagat dhe kushtet e punës.

Paralel me protestën, një përfaqësi e mjekëve u takua me Ministren e Shëndetësisë, në Kryeministri. Në përfundim të takimit që zgjati 90 minuta, palët gjetën gjuhën e përbashkët.

“Ajo çfarë ne bëmë ishte që hodhëm bazat e para të një bashkëpunimi dhe krijuam një kalendar për të gjitha kërkesat që ne parashtruam. Duke filluar nga java e ardhshme, nga e mërkura dhe e enjtja, ne do të kemi grupet tona të punës, që janë grupe nga sindikata dhe nga pjesa qeveritare, përfshirë këtu si Ministrin e Shëndetësisë, ashtu edhe pjesë të Kryeministrisë, për të arritur në përfundimet që ne do të donim që të ishin. Pra do të jetë pjesë e një diskutimi tjetër, një tavoline tjetër dhe në grupe më të vogla, për të krijuar detaje për secilën nga kërkesat që ne kishim.“

Nga ana e saj Manastirliu u shpreh se “kemi diskutuar shumë konkretisht për pikat që përfaqësuesit e sindikatës kanë përcjellë. Kemi një rrugë të gjatë përpara për të adresuar në mënyrë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë të gjitha kërkesat e sindikatës. Kemi vendosur konkretisht, që takimet dhe tryezat e punës të fillojnë prej javës që vjen. Ura e komunikimit me mjekët, personelin shëndetësor është një urë tashmë e konsoliduar prej gjithë këtyre viteve. Ne jemi të bindur që jemi duke punuar për të bërë më të mirën, edhe në këtë situatë të pandemisë, ku forca jonë më e madhe janë mjekët dhe infermierët. Ata janë aseti ynë më i çmuar, do t’i dëgjojmë, do t’i marrim mendim dhe ata do të vendosin për të ardhmen e tyre dhe për pikat që ata kërkojnë. 4 pikat do të diskutohen edhe me ekipet më të vogla, në tryeza teknike, sepse janë çështje që adresojnë situata të ndryshme, të cilat kërkojnë ekspertizë jo vetëm të brendshme, por edhe ndërkombëtare”.

Katër janë kërkesat e mjekëve: Shpallja dëshmor e personelit që humb jetën si pasojë e Covid-19, sigurim jete për personelin shëndetësor, rritje të pagave dhe sigurim të kushteve në punë për të mos u infektuar nga Covid-19. 

Tv Klan