Rusia planifikon të eksportojë “Sputnik V”, atë që e quan vaksinën e parë Covid-19 në botë me 10 dollarë për njësi. Alexey Repik, kryetari i firmës së madhe farmaceutike ruse R-Pharm, që do të prodhojë vaksinën e zhvilluar nga Instituti Shtetëror Gamalei tha për mediat lokale se dy doza vaksine, të mjaftueshme për t’u administruar për një person të vetëm, do të eksportohen me rreth 10 dollarë.

Ai tha se nëse nivelet e prodhimit rriten, çmimet e eksportit mund të ulen.

Mediat botërore raportojnë se shteti Parana i Brazilit është në bisedime për të prodhuar një vaksinë Covid-19 të aprovuar nga Rusia pavarësisht se nuk ka kryer prova klinike masive.

Ende pa dalë as në tregun rus, në gjithë globin ka kërkesë të lartë për këtë vaksinë. Autoritetet ruse thonë se nga vendet e Amerikës Latine, Lindjes së Mesme dhe Azisë janë kërkuar 1 miliardë doza, teksa kapacitetet prodhuese aktualisht garantojnë vetëm gjysmën.

Sidoqoftë, shumë ekspertë të shëndetit po vënë në dyshim efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës pak të njohur. Mediat botërore, duke iu referuar ekspertëve të shëndetësisë në shumë shtete ngrenë pikëpyetje mbi sigurinë e saj. Sipas ekspertëve, Rusia nuk ka lëshuar asnjë të dhënë shkencore në testimin e saj të vaksinës dhe nuk është në gjendje të verifikojë pretendimet në lidhje me sigurinë ose efektivitetin e saj.

Keith Neal, Profesor Emeritus i Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive, Universiteti i Nottingham tha për CNN se nuk ka informacione për sigurinë e vaksinës ruse.

“Ne nuk kemi asnjë informacion në lidhje me atë, nëse kjo është e sigurt. Ajo që ne nuk e dimë është nëse mbron njerëzit kundër infeksionit. Unë do të mendoja se të paktën prodhon antitrupa”.

Mes zërave të ekspertëve skeptikë është edhe Dr Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive, në SHBA.

“Shpresoj që rusët vërtet kanë vërtetuar përfundimisht se vaksina është e sigurt dhe e efektshme. Unë dyshoj seriozisht që ata e kanë bërë atë”.

Ekspertët thonë se efektshmëria e saj mund të vërtetohet vetëm nga të dhëna dhe provat e përfunduara të Fazës 3 dhe sipas tyre Rusia nuk i ka provuar botës se “Sputnik V” funksionon.

Klan Plus