Jo vetëm anglishtja, tregu turistik po kërkon personel që njohin edhe gjuhë të tjera si ukrainisht, spanjisht apo polonisht. Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha thotë se vitet e fundit kemi një ulje të studentëve që zgjedhin fakultetin, ndërkohe që kërkesa e tregut të punës mbetet e lartë si nga institucionet shtetërore edhe ato private.
“Ajo që na shqetëson është kërkesa e madhe e tregut të punës. Kërkesa është e madhe, por ka një mungesë të studentëve që ndjekin studimet, kryesisht jo vetëm në anglisht, por edhe në gjuhë të tjera”, tha ajo.
Për t’ju përshtatur kërkesë-ofertës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të hapë Masterin tregjuhësh që ka në fokus edhe fushën e turizmit.
“Një Master për të punuar në fushën e turizmit dhe jo vetëm. Kërkohen gjuhët sllave dhe ballkanike, ukrainishtja, greqishtja, turqishtja. Kërkesa e institucioneve shtetërore dhe bizneseve për gjuhë të huaj, është më e madhe për komunikimin në gjuhë të huaj, për studentë që dinë dy tre gjuhë që janë specialistë të përkthimit, të interpretimit, mësues, mediator kulturor që të punojë në fushën e turizmit”, tha ajo.
Mungesa e specialistëve të gjuhës të huaj po reflektohet edhe në institucione shtetërore, për këtë arsye qeveria do i drejtohet ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare për të siguruar përkthyes të pacertifikuar për gjuhët e rralla dhe përpilimin e dokumenteve në këto gjuhë.
Tv Klan