Për investim e konsum, bizneset dhe individët kanë marrë më tepër kredi në tre muajt e parë të vitit 2025.
Banka e Shqipërisë raporton se ulja e normës së interesit e ka bërë më të favorshme marrjen e huave në institucionet financiare.
Për ekspertët, bankat duhet të tregojnë kujdes për të mos hasur vështirësi likuidimi.
“2024 na ka treguar një rritje shumë të forte të kredidhënieve, e cila të kujton vitin 2008, kur bankat vërtet dhanë shumë kredi, por filluan të kërkonin shlyerjen e tyre shpejt, duke mos bërë më rinovime. Pra një kredi e cila ekziston dhe është maturuar, rijepet përsëri dhe kjo ndikon në rritjen e portofolit të kredidhënies”, u shpreh Artur Ribaj, ekspert bankar.
Kërkesa më e lartë paraqitet per kredi për financimin në blerjen e banesave. Por për të minimizuar rreziqet e mundshme të kredimarrjes, sugjerohet që individët dhe bizneset të diversifikojnë portofolet e huave.
“Nëse do të nisë kriza e pasurive të paluajtshme, atëhere ekspozimi do të jetë jo vetëm e individit por edhe i bankave. Të mos ngelen vetëm duke marrë kredi tek bankat, por edhe t’u drejtohen tregjeve financiare”, shtoi eksperti bankar.
Për të siguruar kontributin në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenien e individëve, banka e shqipërisë pret që kërkesa për kredi të vijojë trendet rritëse ndërkohë që institucionet financiare shfaqen më të kujdesshme në aprovim.
Tv Klan