OFL, kërkesë për vetëdeklarim pasurie Bledar Jambellit


OFL, kërkesë për vetëdeklarim pasurie Bledar Jambellit

15:19 07/08/2020

Operacioni Forca e Ligjit ka “trokitur” në dyert e 5 të dënuarve të cilët do duhet të justifikojnë pasurinë e tyre. Mes subjekteve të OFL-së është edhe Bledar Jambelli. Jambelli ose siç njihet ndryshe Roikardo Muho është personi që ka porositur vrasjen e ish-komisarit të policisë, Artan Cuku. Ai është arrestuar në Greqi ku fshihej.

Sipas prokurorëve ai porositi vrasjen e Cukut duke i premtuar 20 mijë euro 24-vjeçarit nga Kuçova, Mikel Shallari. Ky i fundit e kreu krimin mbrëmjen e 8 Prillit të 2017, në hyrje të banesës së ish-komisarit të policisë në rrugën e Kosovarëve në Tiranë.  Për vrasjen e Cukut, ai është dënuar me 10 vite heqje lirie.

OFL-ja ka çuar kërkesë edhe për 4 persona të tjerë.

“Adriatik Gaba, me banim në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”; Klaudion Karagjozi, me banim në Gjirokastër, dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Xhevair Derxhia, me banim në Lazarat Gjirokastër, dënuar për “Kultivimi i bimëve narkotike”; Rimel Shehu, me banim në Tepelene, dënuar për shkelje te ligjit penal grek për narkotikët”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme./tvklan.al




Të ngjashme