Thumana ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter. Nga lëkundjet e tërmetit janë shkatërruar pallate, ndërsa 15 viktima janë shënuar vetëm në këtë zonë.

Shtatë viktima, katër prej të cilëve janë ende nën rrënoja, janë pjesëtarë të familjes Cara, e cila banonte në Thumanë. Arben Cara, zjarrfikës, ndodhet që prej ditës së djeshme atje për operacionin e kërkim shpëtimit.

Kushëriri i viktimave tregoi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se po punohet për nxjerrjen e katër pjesëtarëve dhe një fëmije që dyshohet se është ende nën rrënoja.

“Nga operacioni i kërkim shpëtimit që po zhvillojmë janë në dorë të Zotit, është pothuajse e pamundur me çfarë po shohim me sy sepse gjithë ditën që punojmë tek pallati i cili është shembur plotësisht. Është e çuditshme që njëra anë nuk është shembur dhe ka mbajtur gjithë peshën e paneleve të betonit që na e ka bërë punën shumë të rrezikshme. Aktualisht jemi pothuajse në finishin e kërkimit të nxjerrjes së katër trupave të pjesëtarëve familjes Cara dhe një fëmijë dyshohet se është nën gërmadha. Ekzaktësisht di vetëm për 4 pjesëtarë të familjes Cara. Për fëmijën jemi akoma në dyshime pasi nuk kemi informacion të saktë nga banorët”, tha Cara. /tvklan.al